Thaçi: Marrëveshjen e nënshkruaj nëse SHBA, BE dhe NATO japin garanci se Serbia do ta njohë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e nënshkruan marrëveshjen për korrigjimin e kufirit, duke përfshirë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, në momentin që është i bindur se është në interesin e shtetit të Kosovës dhe që SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja japin garanci se Serbia do ta njohë Republikën e Kosovës.
Ai ka thënë se Kosovës i duhet me tepër se politika populiste dhe elektorale.
“Në asnjë rrethanë nuk lejojmë ndarjen. Është gjë e vdekur. Nuk do ta lejojmë shkëmbimin, por as asociacionin me elemente ekzekutive. Është gjë e vdekur. Sa për ngushëllim, i ngushëlloj të gjithë ata që punojnë për ndarje dhe asociacion me elemente ekzekutive tash. Ndërsa, te korrigjimi i kufirit, duke përfshirë bashkimin e Luginës, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, e ritheksoi se në momentin që unë jam i bindur që është në interesin e shtetit të Kosovës dhe që SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja japin garanci se Serbia do ta njohë Republikën e Kosovës, unë do ta nënshkruaj. Kosovës i duhet me tepër se politika populiste dhe elektorale”, ka thënë Thaçi, në konferencën e sotme për shtyp.
“Sa i përket ngushëllimit për korrigjim, ky ngushëllim mund të shkojë për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, por mund të jetë personal. Përndryshe shteti i Kosovës do të punojë deri në fund, në krye të angazhimeve, për përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në proces dhe bashkëngjitje me Republikën e Kosovës, gjë që unë besoj se do të ndodhë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi është shprehur i bindur se Kosova e ka përkrahjen e të gjithë partnerëve strategjikë për këtë çështje. /Telegrafi/