Fundamenti

Thaçi: Marrëveshja me Serbinë proces i vështirë, por ka hapur kapitull të ri

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi të shtunën se procesi i nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë nuk ka qenë i lehtë, por sipas tij me të është hapur një kapitull i ri. Ai tha se me nënshkrimin e marrëveshjes ka fituar paqja, stabiliteti, dhe integrimi euro-atlantik i rajonit.

Ai këto komente i bëri në takimin vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që po mbahet në Stamboll.

“Në vitin e kaluar kemi filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog ky i fasilituar nga Bashkimi Evropian, përkatësisht Baronesha Ashton, si dhe i mbështetur nga SHBA-të. Muajin e kaluar kemi arritur marrëveshjen që do ta cilësoja si historike, e arritur për herë të parë pas një shekulli armiqësie dhe konflikti në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, tha ndër të tjera, Thaçi në fjalimin e tij.

Ai theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes ka fituar paqja, stabiliteti, dhe integrimi euro-atlantik i rajonit.

Uji Dea

“Normalisht se nuk ka qenë proces i lehtë, normalisht se ka pasur momente të vështira, por e rëndësishme është që kemi arritur të shtyjmë përpara interesat e qytetarëve dhe vendit tonë, por mbi të gjitha kemi hapur kapitullin e ri, atë të bashkëpunimit, evropianizimit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit”, tha Thaçi.
Sipas tij, me këtë marrëveshje është hapur rruga për njohje të reja për Kosovën, duke kërkuar kështu nga vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ta bëjnë këtë.

“Kosova përfundimisht me marrëveshjen e arritur po hyn në epokën e normalitetit, sepse me shtrirjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të shtetit tonë, do të kemi mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik”, tha ai.

Sipas tij, tani Kosova duhet të kanalizojë të gjitha përpjekjet dhe energjitë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmbushjen e reformave demokratike.

“Rruga drejt BE-së do të jetë e gjatë dhe do të kërkoj transformime rrënjësore. Tani e tutje, ky do të jetë prioriteti ynë kryesor”, tha ai. /Telegrafi/