RCCOLA

Thaçi, Limajt: Mund të jesh kryeministër!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Kanë filluar “selamet” mediale që të fortët e Partisë Demokratike të Kosovës t’ia dërgojnë njëri tjetrit në mënyrë direkte apo indirekte.

Derisa ka përfunduar seanca e dytë për Limajt dhe të tjerët në rastin e MTPT’së, mbrojtja e të pandehurve kërkoi nga trupi gjykues që të hedhë poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokurori i EULEX’it, me arsyetimin se ajo është e pabazë dhe nuk ka argumente të bollshme.

Në përmbyllje të paraqitjes së tij, para trupit gjykues, Fatmir Limaj paralajmëroi se për të dëshmuar pafajësinë e tij, do të ftojë si dëshmitarë Kryeministrin Hashim Thaçi, ish- shefin e Zyrës Civile në Kosovë Piter Feith si dhe ish- Kryeprokurorin e EULEX’it, Johannes Van Vreesëijk si dhe disa zyrtarë të tjerë të misionit europian për sundim të ligjit në Kosovë.

“Dëshmitar do të ftoj edhe Peter Feith dhe kryeministrin Thaçi. Kërkoj nga ju drejtësi dhe asgjë tjetër. Asgjë tjetër. Kështu mbrohet puna e mijëra njerëzve në EULEX dhe kështu ndihmohet ndërtimi i shtetit ligjor. Dhe shpresoj që ta ndërtojmë shtetin ligjor. Shpresoj që të fillohet seriozisht që të ndiqen kriminelet dhe të ndëshkohen ata që po e shkatërrojnë shtetin. Kërkoj nga ju që ta hidhni poshtë aktakuzën. E t’i jepni fund kësaj drame të panevojshme, të pambështetur në asnjë provë dhe në asnjë fakt”, kishte deklaruar Limaj.

Menjëherë pas kësaj kërkese të deputetit dhe nënkryetarit aktual të PDK’së, ndaj të cilit po zhvillohet edhe rasti gjyqësor i njohur si “Kleçka”, në skenë është paraqitur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në një bashkëbisedim të hapur me qytetarët në profilin e tij në Facebook, ka paralajmëruar mundësinë se një prej opsioneve është që Fatmir Limaj të jetë kryeministër nëse partia e tij do të jetë fituese në zgjedhjet e ardhshme.

Fundamenti

Thaçi është shprehur se ka ardhur koha që drejtësia ta thotë fjalën e vet dhe është shprehur i bindur se shumë shpejt nënkryetari i tij, Fatmir Limaj, i cili, siç ka thënë ai, padrejtesisht po akuzohet nga misioni për sundimin e rendit dhe ligjit Eulex, shpejt do të jetë i lirë pranë familjes së tij dhe do të rikthehet fuqishëm në skenën politike, transmeton Almakos.

Por, Hashim Thaçi nuk është mjaftuar me kaq.

“Është hera e parë këtu tani publike që po e bëjmë dhe do të ju pergjigjemi gjtihsesi pyetjes tuaj nëse un nuk do të kandidoj në mandatin e ardhshëm për Kryeministër atëherë janë 3 emra aktualisht që i kam në mendje që t’i propozojë në organet e partisë dhe në Zgjedhjet e ardhshme ta propozojmë njërin nga këta, nëse un nuk do të rikandidoj atëherë njëri nga kandidatët e mundshëm janë: z.Kadri Veseli z.Fatmir Limaj dhe z.Hajreidn Kuqi”, ka deklaruar publikisht i pari i ekzekutivit kosovar.

Kryeministri Thaçi madje është shprehur se me të vërtetë e bëjnë për të qeshur zërat se ai dhe Limaj nuk kanë marrëdhënie të mira, duke u shprehur se në fund të fundit jetojmë në demokraci dhe se çdokush ka të drejtë që të shpreh mendimet e veta. Mirëpo, ka pretenduar Thaçi, e vërteta e vetme është se ai Limajn e ka mik shtëpie dhe bashkëpatrtiak.

Kohë më parë edhe nënkryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ,kishte pohuar se proceset gjyqësore që janë duke vazhduar ndaj ish-ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, janë të montuara dhe si të tilla i sjellin dëme vendit. Veseli, këto komente i kishte bërë në bastionin e Limajt, në Malishevë, duke u shprehur se beson në drejtësinë ndërkombëtare, por megjithatë mendon se ky proces duhet të ndërpritet sa më parë.