RCCOLA

Thaçi: Kriminelët serbë duhet të dënohen për krimet e kryera në Kosovë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar ngjarjen e 4 prillit të vitit 1999 kur shumë familje klinase ishin ndarë nga ushtria dhe policia serbe në fshatin Kralan të Gjakovës.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur zhgënjimin për mungesën e presionit ndërkombëtar mbi autoritetet e Beogradit, për ndriçimin e fatit të të pagjeturve.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Sot bëhen 21 vjet kur shumë familje klinase ishin ndarë nga ushtria dhe policia serbe në fshatin Kralan të Gjakovës. Afër 100 burra dhe të rinj ishin ndalur, por as sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e shumicës prej tyre. Plot 21 vjet kjo dhimbje e prillit është e pashuar për qytetarët e Klinës. Ata, sikurse edhe shumë familje tjera gjithandej Kosovës, duhet ta mësojnë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre. Edhe në këtë ditë shpreh zhgënjimin e madh për mungesën e presionit ndërkombëtar mbi autoritetet e Beogradit, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kriminelët serbë duhet të dënohen për krimet e tyre dhe drejtësia duhet të ngadhënjejë, që si rajon të mos mbetemi peng i së kaluarës. Kjo është rruga e vetme mbi të cilën mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, në paqe, me prosperitet, për gjithë popujt tanë!”, ka shkruar Thaçi.

RCCOLA

Më 2 prill të vitit 1999 në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1,500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën.

Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan.

Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçacit në Bajina Bashta të Serbisë. /Telegrafi/