Thaçi kërkon rrugë ‘B’ për vizat, BE-ja ia përmend kriteret
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar homologut të tij Ilir Metës që t’u jepet shtetësia e Shqipërisë kosovarëve për të lëvizur lirshëm drejt BE-së, duke kërkuar kështu një rrugë “B” në mungesë të votimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Por, zyrtarë të Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë thënë për “Zërin” se Kosova duhet të tregojë rezultate në përmbushjen e kushteve të mbetura, duke ecur përpara me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke luftuar korrupsionin, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar një plan “B” për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, duke kërkuar ndihmë nga Shqipëria.
Në një takim me homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta, Thaçi i kërkoi atij që t’u jepet shtetësia e Shqipërisë qytetarëve nga Kosova, në mënyrë që, siç tha ai, të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, në mungesë të liberalizimit të vizave, shkruan tutje “Zëri”.
Por Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar edhe një herë që Kosova t’i përmbushë kriteret e mbetura (demarkacionin dhe luftimin e krimit e të korrupsionit), në mënyrë që ta arrijë liberalizimin e vizave.
Nga ana tjetër, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë thënë se deklaratat e tilla nga krerët shtetërorë vijnë si rrjedhojë e mllefit, meqë Kosova është lënë anash nga bashkësia ndërkombëtare.


