Thaçi kërkon përkrahjen malteze për liberalizimin e vizave

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm, ka filluar takimet bilaterale në Maltë. Kryediplomati maltez, George W. Vella, ishte nikoqiri i parë i zëvendëskryeministrit Thaçi, me të cilin ka diskutuar thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Thaçi ka njoftuar ministrin Vella për konsolidimin e jashtëm të Kosovës dhe për angazhimin për t’u anëtarësuar në organizata rajonale dhe ndërkombëtare si UNESCO, Interpol dhe Këshill të Evropës.

“Kosova ka mbi 100 njohje të shtetësisë dhe deri më tash është anëtarësuar në organizatat dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. E së fundmi edhe në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri.

Homologun e tij maltez Thaçi e ka njoftuar edhe për dialogun me Serbinë dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në rajon dhe botë.

“Kosova është shembull për mbarë globin se si duhet të punohet në pajtim dhe bashkëpunim”, thuhet më tej në njoftimin e MPJ-së, duke theksuar bashkëpunimin e mirë që ka Kosova edhe me shtetet që ende nuk e kanë njohur.

Mobi Casa

“Kosova është lavdëruar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për qëndrimin konstruktiv në raport me zhvillimet e fundit në Maqedoni. Aspirata jonë është anëtarësimi në BE dhe NATO, sepse BE-në e synojmë si bashkësi vlerash të cilat dëshiron t’i promovojë dhe kultivojë edhe shoqëria kosovare”, i ka thënë Thaçi, kryediplomatit maltez.

Për Thaçin dhe homologun e tij maltez, i cili ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në procesin e integrimit, dëshmia e më e mirë e suksesit të Kosovës në zhvillimin e institucioneve demokratike, në instalimin e sundimit të ligjit dhe në ekonomi pa dyshim është nënshkrimi i MSA-së.

Thaçi foli edhe për proceset e brendshme nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon v endi, derisa u zotua se Kosova, në kuadër të politikës së jashtme, do të vazhdojë të jetë luaj rol aktiv në luftën kundër terrorizmit.

Duke folur për bashkëpunimin bilateral Kosovë-Maltë, Thaçi dhe Vella kanë theksuar edhe rëndësinë e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërshtetërore në të gjithë sektorët dhe jo vetëm në rrafshin politik, por se prioritare në këtë fazë gjithsesi mbesin përkrahja për nënshkrimin e MSA-së, teksti i së cilës është pranuar dhe pritet që brenda këtij muaji edhe të nënshkruhet, si dhe mbështetja për marrjen e rekomandimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

http://koha.net/?id=27&l=60015