Thaçi kërkon mandatar të ri, PAN-i nuk e përfill
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që koalicioni PAN ta propozojë një emër, të cilin ai do ta mandatojë për kryeministër të ri, mirëpo me këtë kërkesë nuk janë pajtuar partnerët e koalicionit qeverisës. Madje kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili është bartës i koalicionit, ka kërkuar që Kryesia e Kuvendit të mblidhet të hënën për ta caktuar seancën, në të cilën do të shpërbëhet Kuvendi, shkruan gazeta “Zëri”.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kadri Veselit si përgjegjës i koalicionit PAN ka kërkuar zyrtarisht që partnerët e këtij koalicioni ta propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar si kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës.
Në këtë letër presidenti Thaçi thekson se si koalicion fitues i zgjedhjeve të fundit, PAN-i ka të drejtë ta propozojë emrin e kandidatit të ri për kryeministër të ri, të cilin e mandaton presidenti.
“Ju lutem, në emër të koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Konservatore e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, Partia Socialdemokrate, Balli Kombëtar i Kosovës, propozoni kandidatin e ri të cilin do ta mandatoj për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e Thaçit drejtuar Veselit.


