Mobi Casa

Thaçi: Javët, muajt … vendimtarë për liberalizimin e vizave

/ 2 minuta lexim

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi edhe sot ka theksuar që procesi i liberalizimit të vizave duhet të jetë për gjithë Kosovën prioritet mbi prioritete. Ai u ka bërë thirrje gjithë akterëve që në mënyrë të përshpejtuar të plotësojnë të gjitha kriteret që dalin nga ky proces duke vlerësuar se plotësimi i kritereve varet kryekëput nga Kosova.

Është shënuar progres në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Kështu u tha në takimin e tetë të Komitetit Drejtues për Liberalizim të Vizave, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit të angazhuar në përmbushjen e detyrimeve për liberalizim të vizave.

Thaçi tha se ditët në vijim do të jenë vendimtare për procesin e liberalizimit të vizave. “Jemi dëshmitarë të një progresi të konsiderueshëm, si në fushën e riatdhesimit sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufijve, luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit si dhe zbatimit të kritereve që ndërlidhen me të drejtat e komuniteteve”, tha ai.

Kryeministri tha se ky sukses nuk na lejon të relaksohemi dhe të zbehim fokusin e zbatimit të kritereve të mbetura para nesh.

Mobi Casa

“Edhe sot kërkoj nga ju që të rrisni angazhimin tuaj dhe të vendosni procesin e liberalizimit të vizave në nivelin më të lartë të prioriteteve. Të nderuar ministra pres nga ju që këto prioritete të transmetohen te secili zyrtarë i dikasterit që ju i mbuloni dhe të kërkoni zbatim të detajuar të kritereve dhe të rekomandimeve të Komisionit Evropian”, apeloi Thaçi.

Thaçi i ftoi ata që personalisht të monitorojnë zbatimin e kritereve dhe të kërkojnë llogari nga stafi, në rastet kur nuk përmbushen kriteret me kohë dhe në kualitet të duhur.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave, shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar kështu që të mos lejojmë të vonohemi në këtë proces, mos të lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe mos angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”.

Ndërkaq ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku deklaroi se aktualisht ka ulje të migrimit ilergal dhe se sipas saj po punohet në këtë drejtim./koha/