Thaçi inkurajon bizneset e Gjilanit të konkurrojnë me projekte konkrete

Gjilan – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i shoqëruar nga Besim Beqaj e Qemajl Mustafa të martën ka vizituar disa kompani gjilanase ku hapur ka folur me to për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe për mundësinë që ato të përfitojnë drejtpërdrejtë nga fondi i investimeve.
Hashim Thaçin as shiu të martën nuk e ka ndalur që të ecë në këmbë së bashku me Besim Beqajn e Qemajl Mustafën për të vizituar disa kompani gjilanase si “Drini Market” dhe “Kosova Komerc”, raporton rajonipress.
Thaçi në këtë takim edhe njëherë ka promovuar idenë e fondit për zhvillim i cili sipas tij është një rast i mirë për të gjitha kompanitë kosovare që të jenë përfitues të tij dhe të zhvillojnë kapacitetet prodhuese.”Unë ju bëjë thirrje të gjitha bizneseve këtu në Gjilan që të bëhen gati dhe të përgatisin projekte për të aplikuar në fondin e qeverisë prej 1.5 miliard eurove. Këto projekte mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punë, rritjen e prodhimit vendor me qëllim të zvogëlimit të importit dhe rritjes së eksportit” tha Thaçi.
Thaçi u tha bizneseve në Gjilan dhe në veçanti në vizita që bëri në dy kompani “Drini Market” dhe “Kosova Komerc” që bizneset e Gjilanit mund të përfitojnë shumë nga fondi dhe bizneset në këtë pjesë mundë të zhvillohet hovshëm.”Nëse ju jeni të gatshëm t`i shfrytëzoni mundësit që ofron fondi, atëherë kapacitetet prodhuese dhe rezultatet e prodhimit nuk do të mungojnë” tha Thaçi.
Ndryshe Thaçi ka mbajtur edhe një debat me bizneset e Gjilanit ku ka folur për çështje të ndryshme duke kërkuar prej tyre propozime konkrete në mënyrë që fondi sa më mirë dhe efikas të shfrytëzohet për nevojat e bizneseve.
Ndërkaq bizneset prezente janë shprehur në favor të kësaj mundësie duke besuar se ky projekt madhor i kryeministrit do të realizohet./rajonipress/