Thaçi i shmanget përballjes me deputetët
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Kosovës, Fitim Krasniqi, me kërkesë të Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka kërkuar shtyrjen e Interpelancës për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, debat ky i paraparë për t’u mbajtur në seancën e nesërme të Parlamentit të Kosovës.
Në shkresën që Koha.net e ka siguruar, thuhet se arsye për këtë është agjenda e ngjeshur e ministrit Thaçi.
“Me kërkesë të Zëvendëskryeministrit/Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Hashim Thaçi, ju drejtohemi me këtë shkresë për shtyrjen e interpelancës për ndonjë seancë tjetër, me arsyetimin se për shkak të agjendës së ngjeshur nuk ka mundësi me iu përgjigj kërkesës së Kuvendit për Interpelancë, e cila është në rend dite në seancën plenare të datës 4 qershor, 2015”, thuhet në shkresën e siguruar nga Koha.net të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Kosovës, Fitim Krasniqi.
Krasniqi nuk ka dhënë ndonjë afat se kur ka gjasa të mbahet kjo Interpelancë në lidhje me demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
http://koha.net/?id=27&l=60370


