Thaçi: Ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar përgjithmonë

Minatorët e Trepçës i kanë rezistuar fuqishëm dhe në mënyrë unike politikës që ‘Trepça të punojë dhe Beogradi të ndërtohet’. Tani është koha që pas lirisë dhe ndërtimit të shtetit, të gjithë të punojmë, të zhvillojmë Trepçën, dhe në të njëjtën kohë Trepça të prodhojë, ndërsa Kosova të ndërtohet.Politika dhe ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar njëherë e përgjithmonë me largimin e tyre nga këtu, dhe s’do të kthehen më kurrë. Këto komente i bëri kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën nga horizonti i dhjetë i minierës së Stantërgut në Mitrovicë.
Ai i ka quajtur minatorët heronj të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa premtoi mbështetje të plotë të punës që po bëhet.
Sipas tij, Trepça është ndër resurset më të fuqishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ai u shpreh i bindur se Kuvendi shpejt do të aprovojë projektligjin dhe pastaj do të ketë edhe më tepër prodhim, zhvillim, krijim të vendeve të reja të punës dhe natyrisht rritje të pagave për minatorët.
“Nuk ka para që mund të mbulojë energjinë, djersën, mundin dhe sakrificën e minatorëve. Ju me punën e juaj jeni duke bërë çmos që ta ruani gjatë gjithë këtyre viteve Trepçën dhe për ta avancuar atë”, ka thënë Thaçi.
Ai tha se Trepça është ndër gjigantët më të fuqishëm në Kosovë, Ballkan dhe Evropë, duke premtuar për pensionistët e Trepçës, rritje tjetër prej 50 për qind të pensioneve të tyre deri në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa për punëtorët premtoi rritje gjatë këtij viti.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka falënderuar Qeverinë për përkrahjen e vazhdueshme në shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje shoqërore.
“Ju premtoj se me hapa shumë më të shpejtë do të ecim përpara pas aprovimit të ligjit nga ana e Kuvendit. Trepça dhe minatorët nuk janë vetëm për Mitrovicën, sepse mbarë Kosova është duke pritur që Trepça të shndërrohet në atë që ka qenë, akselerator i zhvillimit ekonomik dhe hapjes të vendeve të reja të punës”, tha Ismajli.
Në anën tjetër, Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës, potencoi se ky gjigant do të bëhet pjesë e zhvillimit të fuqishëm të vendit.
Ai ka premtuar përgjegjësi për siguri dhe mirëqenie të të gjithë minatorëve.
“Jemi pjesë e një kthese të madhe historike, sepse definitivisht po fillon një epokë e re për Trepçën”, ka thënë Tmava.
Sipas tij, Trepça me profesionalizmin dhe fuqinë ekonomike që posedon, do të shkëlqejë në aspektin e pritjeve të shumta të qytetarëve.