Mobi Casa

Thaçi e quan “mrekulli e demokracisë” gazin lotsjellës në Kuvend

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi, beson se spektri politik është në rrugën e drejtë dhe se kriza në vend do të tejkalohet. Ai tha se institucioni i presidentit nën udhëheqjen e tij do të jetë adresë unifikuese.

“Unë do të punoj dhe do të dëgjoj opinionet e opozitës, shoqërisë civile dhe të gjithë akterëve të tjerë. Ne kemi situata sfiduese por do të ia dalim. Kam besim se skena politike kosovare do të gjejë gjuhë të përbashkët. Unë do të punoj që interesat e vendit, në mënyrë që viti 2016 të jetë viti evropian i Kosovës, i ekonomisë dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Thaçi në një intervistë për RTK, transmeton lajmi.net.

“Unë do të punoj për unifikim dhe bashkim. Institucioni i presidentit do të jetë adresë unifikuese”, thotë ai.

Presidenti Thaçi foli edhe për marrëveshjen e arritur në Bruksel për Asociacionin si dhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

Thaçi tha se marrëveshjet e Brukselit do të respektohen ndërkaq lidhur me Gjykatës Speciale, Kosova sipas tij, ka kryer të gjitha obligimet.

“Ne do të respektojmë marrëveshjet e arritura në Bruksel, do të punojmë për fqinjësi të mirë. Do të punojmë edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sa i përket gjykatës speciale, ne kemi kryer të gjitha obligimet si institucionet e vendit dhe kemi përkrahje për këtë”, tha ai.

Duke folur për partinë që ka udhëhequr për 17 vjet, Thaçi tha se momenti për largimin nga kreu i kësaj partie, ka qenë i mirë, duke thënë se PDK-ja është në pozicion të mirë pasi është fituese e zgjedhjeve.

Sipas tij, lidershipi i PDK-së është i përgjegjshëm.

Mobi Casa

“Unë kam besim se lidershipi ka fuqi, ka njerëz që do t’i çojnë gjërat përpara. Është një lidership i përgjegjshëm me logjikë shtetformuese”.

Thaçi foli edhe për ditën kur u zgjodh president, ku opozita sërish hodhi gaz lotsjellës, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit zhvilloi në protestë, e cila eskaloi në dhunë.

Thaçi këtë e sheh si “mrekulli të demokracisë”.

“Kosova po jep provime të rëndësishme të demokracisë. Kosova sot, siç është e lirë dhe sovrane, din edhe të festojë edhe të protestojë. Në të njëjtën kohë kjo është mrekullia e demokracisë në vendin tonë. Por ajo që është e rëndësishme është që gjithçka të jetë në suaza të rregullit dhe rendit, paqes, stabilitetit, por në asnjë rrethanë të dhunës”, thotë Thaçi.

“Unë do të punoj me prioritete të cilat i afrojnë dhe bashkojnë njerëzit dhe jo që i ndajnë. Unë do të punojë me tërë potencialin tim qytetar dhe të përgjegjësisë Kushtetuese dhe ligjore që ta afrojë skenën politike, që të zbatohet dialogu i brendshëm politik, që të jetësohet agjenda shtetërore, natyrisht gjithmonë duke respektuar opinionet e ndryshme”, thotë tutje Thaçi.

Presidenti Thaçi, i cili tashmë ka hequr dorë nga postet e tjera partiake dhe institucionale, thotë se deri më 7 prill, kur dhe do të zyrtarizohet si president, do të marr opinionin e të gjithëve për çështjet shtetërore.

“Puna e parë është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve. Tani jemi në një fazë të tranzicionit deri më 7 prill, kur do të jetë edhe inaugurimi qytetarë. Prandaj, në këtë kohë do të dëgjoj opinionet e njerëzve, do të marr këshillat dhe rekomandimet e të gjithëve”, thotë Thaçi.