Eko Higjiena

Thaçi e quan mik Ramën, e jo ‘vëlla’ si Erdoganin

/ 4 minuta lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të premten në Prishtinë se vizita e tij në Kosovë si kryeministër i Shqipërisë është një kapitull i ri bashkëpunimi për të quar përpara procesin e harmonizimit të interesave të përbashkëta, në funksion të mirëqenies së shqiptarëve. Rama paralajmëroi edhe mbledhje të përbashkëta të dy qeverive.

Ai duke iu përgjigjur gazetarëve në pyetjet për gjendjen e shqiptarëve në rajon dhe për marrëdhëniet e fundit Kosovë-Maqedoni dhe Shqipëri-Greqi, tha se politika e jashtme shqiptare do të jetë zero probleme me të gjithë fqinjët.

“Ne do të bëjmë çmos që të garantojmë dinjitet dhe respekt të të gjithë shqiptarëve në rajon… Unë nuk besoj as tek politika e kundërvënieve as tek peri i lëshuar shumë. Me sa jam në gjendje të shoh në rajon e vërteta është ndryshe…. Për shqiptarët është momenti më i mirë i historisë dhe jetës së tyre në rajon”, tha Rama.

Ai tha se shqiptarët nuk kanë lëshuar aq shumë pe, por janë duke mbledhur përditë frytet e një mençurie, vizioni dhe modeli të marrëdhënieve me të tjerët, që është për të admiruar. Ai tha se historia do ta shënojë si orë të mirë të shqiptarëve.

“Ne kemi rënë dakord që të fillojmë procesin e qeverisjes strategjike që do të thotë që qëllimet dhe objektivat do të përcaktohen në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, ku çdo ministër do të jap llogari për projektet e përbashkëta”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë duke folur për gjendjen në Kosovë tha se Kosovën e sheh si një shtet pesëvjeç që ka çka ta mësojë Shqipërinë që 100 vjet shtet. Ai tha se Kosovën e sheh si një hapësirë ku demokracia funksionon më mirë se në Shqipëri.

Rama ka folur edhe për marrëveshjet Kosovë-Serbi, duke thënë se kanë mbyllur historinë e përgjakshme.

Fundamenti

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ka informuar kryeministrin Rama për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ai tha se pret vazhdimin e ndihmës së Shqipërisë në të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe procesin e njohjeve të reja.
Thaçi tha se do të punojnë maksimalisht në frymën evropiane, për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon.

Ai foli edhe për pozitën e shqiptarëve në rajon, duke thënë se nuk janë të diskriminuar, por mirë të afirmuar. Sipas tij, duhet të shihen proceset para 15 viteve, për të parë procesin dhe afirmimin e shqiptarëve në rajon.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës potencoi edhe rëndësinë që Kosova të kyçet në rrjetin e gazsjellësit TAP.

Në pyetjet e gazetarëve për Thaçin se kryeministrin e Shqipërisë po e quan mik ndërsa kryeministrin e Turqisë vëlla, kreu i ekzekutivit të Kosovës i iki përgjigjes duke folur për miqësitë e hershme me Ramën.

Ndërsa për këtë u përgjigj edhe vetë Rama, duke thënë se e ka mik e vëlla, prandaj edhe vëllai i Thaçit (Erdogani) është edhe vëlla i im, tha duke u qeshur Edi Rama. “Vëllai i vëllait tim është vëllai im”, tha Rama. /Telegrafi/