Thaçi e çon në qiell koalicionin, hesht për kryeministrin

Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka shpeshtuar takimet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, por ky i fundit ende nuk është pranuar si kryeministër nga Thaçi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryeministri në detyrë edhe pse ka lavdëruar koalicionin PDK-LDK vazhdon të mos e zërë në gojë postin e kryeministrit.
Por zyrtarë të LDK-së kanë ripërsëritur se çështja e kryeministrit tashmë është “punë e kryer” dhe ai do të jetë Isa Mustafa.
Ndërkohë, grupet punuese janë afër finalizimit të marrëveshjes për ndarjen e posteve ministrore, para se të thirret vazhdimi i seancës konstituive më së largu deri të enjten.
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ka folur fjalë të mëdha për koalicionin me LDK-në. Por ai nuk është përgjigjur në pyetjen se kush do të jetë kryeministër i Kosovës.
Sipas Thaçit, gjithçka është duke shkuar sipas planit të agjendës së paraparë, ku aktualisht është duke u punuar për harmonizimin e programeve.
“Është një koalicion i shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe flas me optimizëm dhe me bindje të plotë se gjithçka do të shkojë sipas asaj që jemi marrë vesh”.
Në anën tjetër, zyrtarë të LDK-së shprehen së çështja e kryeministrit është punë e kryer. Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur se nëse Mustafa nuk do t’i prijë Qeverisë, prishet koalicioni.
Pavarësisht kundërthënieve, analistët thonë se PDK-ja dhe LDK-ja si parti me përvojën më të madhe qeverisëse në Kosovë nuk kanë paqartësi në procesin e krijimit të Qeverisë.
Kryesuesja Flora Brovina ka thënë se organet e Kuvendit do të zgjidhen para festës së 28 Nëntorit, dhe për këtë ka ftuar administratën e Kuvendit që të jetë në gjendje gatishmërie.
Por nga Sekretaria e Kuvendit thanë se deri të hënën në orën 16:00 nuk ka arritur kurrfarë kërkese nga kryesuesja për t’iu dërguar ftesat deputetëve. /koha/