Eko Higjiena

Thaçi e bën kryesues dhëndrin e familjes

/ 6 minuta lexim

Një vendim i nxjerrë në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar e që është miratuar nga kreu i ekzekutivit ka bërë që Lulëzim Dragusha, dhëndër i familjes Thaçi, të caktohet drejtues i një komisioni qeveritar që do të organizojë regjistrimin e mërgimtarëve kosovarë. Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë përgjigje nëse Thaçi ka konsultuar Agjencinë Kundër-Korrupsion (AKK) para se ta miratonte këtë vendim.

Kryeministri Hashim Thaçi ka afërsi familjare me drejtuesin e një komisioni qeveritar të ngritur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 24 tetor.

Kabineti qeveritar vendosi që të emërojë Lulzim Dragushën si kryesues të komisionit të qeverisë për hartimin dhe finalizimin e Koncept Dokumentit për Regjistrin e Mërgimtarëve. Qeveria ngret këso komisionesh në bazë fuqisë së saj ekzekutive, sipas rregullores së saj të punës.

Ky komision do të organizojë regjistrimin e mërgimtarëve kosovarë. Drejtuesi i tij do të jetë epror edhe i kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që ka kryer regjistrimin e popullatës së vendit.

Vendimin për emërimin e Dragushës në këtë pozitë e ka konfirmuar Albulena Sylaj, zyrtare për informim në Qeverinë e Kosovës.

Dragusha është dhëndër i familjes së Kryeministrit. Ai është i martuar me Evgjeni Thaçin, vajzën e Gani Thaçit, vëllait të madh të Hashim Thaçit.

Zyra e Kryeministrit Thaçi, me nënshkrimin e të cilit miratohen vendimet e kabinetit qeveritar, nuk e ka komentuar vendimin për emërimin e dhëndrit të familjes së tij.

Zyrtarja për komunikim, Albulena Sylaj, e kontaktuar përmes telefonit lidhur me këtë rast ka udhëzuar Gazetën Jeta në Kosovë që pyetjet t’i drejtohen shefit të kabinetit, Abelard Tahiri.

Abelard Tahiri, shef i kabinetit të kryeministrit, e Arianit Bytyqi, zyrtar informimi në Kryeministri, nuk kanë kthyer përgjigje rreth këtij rasti.

Ata janë pyetur nëse kryeministri ka konsultuar paraprakisht Agjencinë Kundër Korrupcion (AKK) se a bie vendimi i tij ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, për këtë vendim thotë se është informuar tek pasi është pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Preteni thotë se pas trajtimit të kësaj informate agjencia mund të japë një interpretim nëse vendimi bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Kjo informatë do të trajtohet dhe do të informoheni por trajtimi i saj do kohë”, tha Preteni.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit përshkruan se cilët janë përsonat e afërt të zyrtarit për të cilët ka kufizime në marrjen e vendimeve në interes të tyre.

“Person i afërt me zyrtarin, sipas këtij ligji është bashkëshorti ose personi që bashkëjeton me zyrtarin, të afërmit në vijë të drejt të gjakut pa kufizim, adoptuesi, i adoptuari, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallë të katërt, në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë si dhe personat e tjerë për të cilët sipas bazave dhe rrethanave tjera konsiderohet se i lidhë interesi me zyrtarin”, thuhet në nenin 6 të këtij Ligji.

Hidromorava

Dragusha: Jam i përgatitur për këtë pozitë

Lulzim Dragusha mban pozitën e Këshilltarit për Investime të Diasporës në kabinetin e ministrit të Diasporës Ibrahim Makolli. Sipas deklaratës së tij të pasurisë në AKK të vitit 2010, ai punonte në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Dragusha tha se është më i përgatituri profesionalisht kundrejt të gjithë këshilltarëve tjerë të shefit të tij për këtë detyrë. “Jam më i përgatituri profesionalisht në kabinet për të udhëhequr këtë komision”, tha ai.

Këshilltari i ministrit Makolli konfirmoi se është dhëndër i familjes së Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Unë kam qenë i shkëlqyeshëm në shkollime dhe duhet të punoj diku. Nuk ka lidhje kjo me faktin që jam dhëndër i dikujt”, tha Dragusha.

Ai ka thënë se përmes zëdhënësit të ministrisë Xhevdet Sfarqa do të përgjigjet me shkrim për pohimet e tij se është më i përgatituri në kabinet për të marrë këtë pozitë. Por, nuk e ka bërë këtë.

Zëdhënësi Sfarqa më vonë ka deklaruar se Ministria e Diasporës do të japë përgjigje kur të jetë e gatshme për ta bërë këtë por nuk ka përmendur një periudhë kohore. Deri më tash MeD-ja nuk e ka nisur këtë përgjigje.

Komisioni qeveritar i udhëhequr prej Dragushës do t’i ketë nëntë anëtarë, të propozuar nga Ministria e Diasporës.

Ky komision që do të hartojë Koncept-Dokumentin për regjistrimin e mërgatës do të ketë si zëvendëskryesues Mentor Borovcin që mban pozitën e Drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Ministrinë e Diasporës.

Anëtarë komisioni do të jenë Isa Krasniqi, kryeshef i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Blerim Canajn që mban pozitën e Kryeshefit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Besim Kajtazin drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit e Ruzhdi Halilin zyrtar në ZKM.

Ndërkohë si anëtarë tjerë do të jenë edhe një anëtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, një përfaqësues i Ministrisë së Financave si dhe një përfaqësues tjetër në komision, përveç Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Më 1 tetor, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), që përbehet nga përfaqësues të kompanive private të sigurimeve, kishte vendosur t’i japë shpërblim 10 mijë euro për punë shtesë zëvendësdrejtorit të BKS-së Gani Thaçi edhe përkundër pagës së tij mujore prej rreth 3 mijë e 500 eurosh.

Thaçi, i cili ishte paguar më pare për shërbime ndërmjetësimi në biznes nga një firmë kanadeze, kishte marrë shpërblimin për të kryer një punë që ka për qëllim parandalimin e mashtrimeve dhe keqpërdorimet me policat e sigurimit në pikat kufitare të vendit. Ato kryesisht përdoren nga mërgimtarët kosovarë.

Gazeta po ashtu ka raportuar se Gani Thaçi, në mars të këtij viti, ishte emëruar Drejtor në Byronë Kosovare të Sigurimeve pasi ishte përzgjedhur përmes një konkursi publik. Diku një javë pas emërimit, Thaçi kishte dhënë dorëheqje duke thënë se këtë po e bënte për shkaqe personale.

Ky institucion zëvendëson Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve, një organizatë që përfaqësonte industrinë e sigurimeve në Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës, bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia është mbikëqyrëse e Byrosë Kosovare Sigurimeve.