Eko Higjiena

Thaçi: E ardhmja të mos mbetet peng e të kaluarës sonë të hidhur

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar deputetet e Kuvendit të Kosovës për takimin që ka pasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, raportoi KTV. Ai tha se ky proces ka nisur me mbështetje të fuqishme te SHBA-ve dhe BE-së dhe se bisedimet e nivelit politik kanë nisur pas konsultave me spektrin politik kosovar e ndërkombëtar, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kreu i Qeverisë deklaroi se dialogu i nisur e ka bazën në Kushtetutën e Kosovës dhe është plotësisht në përputhje me standardet evropiane dhe Rezolutën e asamblesë së OKB-së. “Si kryeministër nuk do të pranoja të hyja në një dialog të tillë, pa pasur përkrahjen e partive politike, të shoqërisë civile e institucioneve të tjera, dhe se rezoluta e miratuar në Kuvend ka qenë unifikuese për të pasur progres”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri tha se ai nuk vuan nga nostaligja për te takuar njerëz që kanë bërë gjenocid ndaj popullit të Kosovës, por, sipas tij, e kaluara e jonë e hidhur nuk duhet ta mbajnë peng të ardhmen tonë.

Në takimin me Daçiqin, Thaçi tha se është diskutuar për zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë në Kosovë, që financohen nga Beogradi; Zbardhja e fatit të të zhdukurve gjatë luftës; Mos pengimi nga ana e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në institucioneve ndërkombëtare; Ruajtja e trashëgimisë kulturore serbe; Përmbyllja e procesit të decentralizimit, me të cilin parashihet themelimi i komunës në veri të Mitrovicës; Marrëveshja për telekomunikacionin si edhe mundësinë e hapjes së zyrave ndërlidhëse në të dyja shtetet.

Eco Higjiena

Ai ripërsëriti se dialogu është për çështje jo statusore dhe nuk rrezikojnë në asnjë moment integritetin territorial të Kosovës.

Kreu i Qeverisë së Kosovë tha para deputetëve se gjithë jetën ka marrë vendime të renda, por të dobishme për Kosovën.

Më pastaj në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arsim Bajrami përgëzoi kryeministrin Thaçi për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese duke raportuar para ligjvënësve për realizimin e detyrave të ngarkuara po nga Kuvendi. Edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka përkrahur hapin e ndërmarrë për bisedime me Serbinë, por ka shfaqur skepticizëm për rezultatet e tyre. Ndërkaq Visar Ymeri ka kritikuar kryeministrin Thaçi për takimin me Daçiqin, duke e konsideruar si hap të dëmshëm dhe fyes për Kosovën dhe në favor për Serbinë.