RCCOLA

Thaçi: Brukseli, në mënyrë të padrejtë po i trajton kosovarët

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, e ka lavdëruar fjalimin e fundvitit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai ka thënë se fjalimi ishte përmbajtjesor dhe se ka përmbledhur aktivitetet e të gjitha institucioneve – të të arriturave dhe sfidave.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin, Thaçi ka thënë se fjalimi ishte një përmbledhje e progresit, e zhvillimit, e reformave demokratike, qoftë në politikë, në ekonomi apo legjislacion, pastaj e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të krijimit të Gjykatës Speciale dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, në të njëjtën kohë, sipas Thaçit, presidentja ka paraqitur edhe sfidat në të cilat vendi po kalon dhe me të cilat përballet.

“Ishte një fjalim substancial, në suaza të kornizave të korrektësisë dhe përgjegjësisë kushtetuese dhe ligjore të presidentes”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, i pyetur për deklaratat e tij të ashpra në drejtim të lidershipit të Brukselit, Thaçi ka thënë se qëndrimi i tij nuk ka qenë fare i ashpër, porse ka qenë i drejtë.

“Qëndrimi i Brukselit ka qenë dhe është ende i padrejtë, diskriminues, i ashpër, që trajton qytetarët e Kosovës si qytetarë të rendit të dytë. Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret dhe standardet për të fituar rekomandimin për liberalizimin e vizave. Kështu që mund të konkludoj se tani qytetarët e Kosovës jo vetëm që duhet të ndjehen të zhgënjyer, por duhet të ndjehen të fyer nga ky qëndrim i Brukselit në raport me shtetin e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Fundamenti

Sot pritej të publikohej edhe raporti vlerësues për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, por që merret vesh se është shtyrë. Megjithatë, Thaçi nuk ka dashur të komentojë sesi ka ardhur deri tek shtyrja e publikimit të këtij raporti.

“Unë nuk mund të flas në emër të Brukselit, por Brukseli duhet të ketë qartësi; lidershipi i tij të vlerësojë Kosovën, me të arriturat e saj dhe sfidat me të cilat po kalojmë. Kjo vonesë është absurde, e qëllimshme dhe në të njëjtën kohë e dëmshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Kjo vonesë e qëllimshme e Brukselit krijon hapësirë për agjendë negative për Kosovën prej të tjerëve”, është përgjigjur Thaçi.

Ndërsa, për sjelljen e opozitës në Kuvendin e Kosovës, Thaçi ka thënë se me mjetet që po i përdorin po dërgojnë mesazh negativ në.

“Besoj se është koha për konsensus politik; besoj se është koha për unitet politik, për përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore, e për përgjegjësi shtetërore. Në këtë fundvit, në prag të festave, mendoj se opozita duhet të reflektojë në kuptimin më pozitiv të mundshëm, t’i bashkohet jetës institucionale, shtetërore në bazë të legjitimitetit që ka në Kuvend dhe të punojmë bashkërisht për vazhdimin e reformave për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, e jo që të përdorin mjete përmes të cilëve po dërgojnë një mesazh negativ, të keq dhe jo të frymës demokratike para botës”, ka thënë Thaçi. /RTV Dukagjini/Telegrafi/