Thaçi: Askush s’mund të amnistojë krimet e Serbisë, s’ka paqe pa drejtësi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka bërë homazhe te kompleksi “Heroinat” në Prishtinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe te kompleksi “Heroinat”, në Prishtinë për të përkujtuar sakrificën e 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Nga aty, Thaçi bëri me dije se kontributi i gruas kosovare në shtetndërtimin e Kosovës është i pashoq, raporton lajmi.net.
Thaçi po ashtu bëri të ditur se nuk ka faktor që mund t’i amnistojë të gjitha krimet, gjenocidin e spastrimin etnik që Serbia e ka bërë në Kosovë, përderisa shtoi se, heshtja e drejtësisë ndërkombëtare ka bërë të krimet e Serbisë të amnistohen.
Thaçi po ashtu shtoi se, Kosova nuk do të ndalet në rrugën e saj për të kërkuar drejtësi, pasi që siç u shpreh i pari i vendit, nuk ka paqe pa drejtësi.
“Është vlerësim për punën e palodhur të tyre për heroizmin e tyre të paparë në rajon e botë dhe në të njëjtën kohë kujtojmë edhe viktimat apo dhunimet e mbi 20 mijë grave nga shteti i Serbisë. Kështu që edhe sot ky është një nderim shtetëror për përdhunimet që kanë ndodhur nga shteti i Serbisë por në të njëjtën kohë edhe përkujtim i rezistencës së heroinave shqiptare për pavarësi të radhitura nga radhët e UÇK, për fat të keq ende nuk ka drejtësi për këto trime, për këtë spastrim etnik, për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo heshtje ndërkombëtare është një heshtje që në një formë apo tjetrën e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë. Nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi dhe në këtë drejtim do të punojmë të gjithë së bashku”, theksoi Thaçi ndër të tjerash. /Lajmi.net/