Teuta: Babai im është ai që e solli pavarësinë e Kosovës

“Të jesh vajza e Presidentit Rugova ishte dhe është krenari e madhe dhe në të njëjtën kohë ka qenë sfidë shumë e madhe”, thotë Teuta Ibrahim Rugova.
Teuta Ibrahim Rugova, kandidatja më e re për nga mosha nga LDK-ja, që ia ka mësyer të ngjis shkallët e politikës duke zënë vend fillimisht në Kuvendin e Kosovës, zbulon arsyet e veta se pse hyri në politikë.
Teuta, fëmija më i vogël i presidentit Rugova, duket se ka trashëguar mjaft shumë nga i ati, pavarësisht që këtë e la në moshë shumë të re, ende nxënëse e shkollës së mesme. Ajo është e qetë, flet mendueshëm, dhe sikur bluan të gjitha mundësitë e një fjale para se ta thotë, ashtu siç ligjëronte babai i saj, duke analizuar semiozen e çdo fjale, duke bluar çdo kuptimësi, dhe duke nxjerrë ato më me peshë, sipas rastit, nevojës dhe qëllimeve nacionale.
Ajo nuk thotë se patjetër se do të jetë deputete, ky vendim i takon votuesve, zgjedhësve rugovist, por të cilët nuk beson se mund të bëhen asnjëherë aq shumë sa në kohën e babait. Ajo vetë një ditë ëndërron që nëse e meriton të bëhet presidente e zgjedhur nga populli apo edhe kryeministre, por ajo vlerëson që më e rëndësishme është se, ajo do ti shërbejë popullit. Modelin tashmë e ka para vete, babain e saj, dhe themeluesin e shtetit të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, ikonën e shqiptarisë! /Botasot/