UBT

Tetë takime duke u tkurrur, nga gjashtë vende në trojkë Ballkanike

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lisen Bashkurti – Këto ditë u bë në Shkup takimi i tetë i radhës për ‘minishengenin’ Ballkanik. Në takim morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk morën pjesë. Pas takimit u firmosën disa marrëveshje që synojnë jetësimin e nismës. Parashihet që në vitin 2023 qytetarët e këtyre tre vendeve të lëvizin lirshëm në tërë hapësirën e trojkës.
Debate të shumta e kanë shoqëruar dhe pasuar takimin e tetë të Shkupit. Disa debate janë politike, disa patriotike dhe të tjerat janë teknike, pra ekonomike dhe tregtare. Pavarësisht nga karakteri i debateve, fakti që nisma shoqërohet dhe pasohet me papajtueshmëri të shumta dhe të forta tregon se ka disa gjëra që nuk shkojnë mirë me të.

Nismat apo organizatat rajonale kanë definicionin e tyre në shkencat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ky definicion vjen nga historia dhe afirmimi në të drejtën dhe në praktikën ndërkombëtare. Butros Butros Gali i definonte nismat apo organizatat rajonale si “organizata të përhershme, të cilat në një hapësirë të caktuar gjeografike tubojnë disa shtete, që, për shkak të fqinjësisë, të interesave të përbashkëta ose të lidhjeve kulturore, gjuhësore, historike a shpirtërore, solidarizohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve që do të mund të shfaqeshin midis tyre, për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në rajonin e tyre, si dhe për ruajtjen e interesave të tyre dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre ekonomike e kulturore” (Pedro Pablo Comargo, ‘Dereco International, Tomo III, p.252)
Ky definicion i pranuar gjerësisht në të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën botërore vlen për çdo organizatë apo iniciativë rajonale. Bazuar mbi këtë definicion dhe duke bërë analizë krahasuese me minishengenin Ballkanik, duke u përpjekur të mbetem mendje-ftohtë do e ndërtoj shkrimin mbi disa pyetje.

1. Gjithëpërfshirëse apo përjashtuese?

Në fillimet e saj nisma për ‘minishengenin Ballkanik’ synonte të tërhiqte gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Edhe mbas tetë takimesh kjo nuk ndodhi. Nismëtarët, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut’ nuk arritën dot të ndërtonin një proces gjithëpërfshirës për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata dështuan të krijonin bindjen tek fqinjët e tyre. Për këtë ka shkaqe dhe faktorë të shumtë.
Disa shkaqe burojnë nga mungesa e kushteve e rrethanave rajonale për bashkëpunim, ka faktorë mosbesimi midis palëve, ka dallueshmëri në nivelet e zhvillimit ekonomik e tregtar, ka mospërpueshmëri legjislative dhe institucionale, ka mungesa infrastrukturore, ka kontradikta të thella papajtueshmërie politike e gjeopolitike. Mbi të gjithë ka një zhvendosje të paarsyetuar nga procesi i Berlinit, që hapë dhe njëkohësisht lidh tregjet e Ballkanit me BE dhe njëzet e shtatë vendet anëtarë të tij, drejt një nisme plot paqartësi e vizione nuk të shpie drejt një qëllimi i objektivash të qarta. Me fjalë të tjera minishengeni Ballkanik edhe mbas tetë takimesh nuk ka arritur të sigurojë harmonizimin e qëllimit dhe objektivave të përbashkëta me interesat e gjashtë shteteve individuale të Ballkanit Perëndimor.
Në këto kushte e rrethana nisma nuk gjeti mbështetje Ballkanike, por u tkurr në një trojkë Ballkanike. Bazuar në praktikën e nismave dhe organizatave rajonale trojka Tiranë-Shkup-Beograd nuk arriti të ngrihet në nivel të hapur Ballkanik, por në nivel të tkurrur Ballkanik, duke mbetur në thelb nismë përjashtuese dhe jo gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst mbetën më të vlefshme iniciativat rajonale si CEFTA apo procesi i Berlinit që janë gjithëpërfshirëse për mbarë Ballkanin Perëndimor dhe e integrojnë atë me Bashkimin Evropian.

2. Bashkim kaotik apo me kritere?

Krijimi i nismave apo organizatave rajonale synon krijimin e grupimeve të disa shteteve që vendosin të bashkëpunojnë në një ose disa fusha me qëllim përfitimet e përbashkëta dhe të secilit veçmas. Shtetet që i bashkohen këtyre nismave apo organizatave krijojnë një grup nismëtar që vendos qysh në fillim kriteret që duhet të plotësojë secili vend që të mund t’i bashkohet atyre. A ka kritere të tilla nisma e ‘minishengenit Ballkanik’. Nëse po, cilat janë kriteret politike, ekonomike, juridike dhe administrative që duhet të plotësojë secili vend individualisht?
recommended by
Mgid
Mgid

RCCOLA

Deri tani askund nuk janë bërë me dije kriteret që i bashkojnë këto vende. Pra kemi të bëjmë me një tentativë për të bashkuar shtete konglomerat, pa kritere të unifikuara dhe të standardizuara politike, ekonomike, juridike dhe administrative. Në këto kushte nisma ose do të dështojë, siç ka dështuar në tetë hapat e parë të saj, ose do të adoptojë masa gjatë rrugës, që mund të jenë të ndryshme nga kriteret e Kopenhagës së BE. Mund të jenë devijime nga legjislacioni aqquis communitaries, mund të jenë përplasje me të, ose, akoma më keq mund të krijojnë një konglomerat regjimesh demokratike e autokratike apo hibride, me mirë-qeverisje apo keq-qeverisje, me mungesë transparence e korruptive dhe të inkriminuara, me mungesë lirie e konkurrence ekonomike, me trafiqe të paligjshme dhe pastrime parash.
Ky eksperiment duket të jetë krejt i panevojshëm dhe madje i rrezikshëm për sa kohë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndërfutura në procesin e integrimit në BE dhe për këtë arsye i referohen kritereve të Kopengahës në rrafshet politike, ekonomike, juridike dhe administrative. Këto kritere lidhen me demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal dhe vijojnë me standardet e lirisë ekonomike e tregtare, kushtet financiare dhe monetare, përafrimin e legjislacionit dhe funksionimin e kapaciteteve administrative. Referenca e kritereve të Kopenhagës është e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme. Për këto arsye nisma e trojkës Tiranë-Shkup-Beograd ngjan më shumë si ‘nisma e të dëshpëruarve apo e të inatosurve me BE’ sesa një nismë që i shpie vendet trojkës drejt BE.

3. Projekte me financa apo me propagandë?

Bazuar në Traktatin e Vjenës për organizatat dhe nismat rajonale dhe në praktikën e krijimit dhe funksionimit të tyre, është e domosdoshme që palët të krijojnë themelet financuese për realizimin e qëllimit, objektivave dhe projekteve të përbashkëta. Ky kontribut jepet nga shtetet pjesëmarrëse, por edhe nga shtete të tjera donatore e sponsorizuese apo institucione bankare e financiare ndërkombëtare. Ka mjaft raste që organizatat e nismat rajonale kanë krijuar bankat apo fondacionet e tyre me kapitale të mjaftueshme për përmbushjen e qëllimit, objektivave dhe projekteve të tyre.
‘Shengeni Ballkanik’ ose ‘Ballkani i tkurrur’ nuk është deklaruar për krijimin e themeleve financuese për realizimin e qëllimit, objektivave dhe projekteve të veta. Si mund të zbatohet një nismë e tillë pa kapitale financiare? Edhe ndryshimet e legjislacionit, të logjistikës, infrastrukturës në nivel shumëpalësh për t’iu adoptuar nismës kërkojnë para për t’u realizuar. Pa para asgjë nuk mund të lëvizë. Nismëtarët nuk kanë arritur të bindin as vetveten dhe as shtetet e tjera apo institucionet bankare dhe financiare për të mbështetur financiarisht iniciativën e tyre. Mungesa e mbështetjes financiare është reagimi diplomatik injorues më i mirë ndërkombëtar ndaj kësaj nisme.

4. Lidership e administrim spontan apo i strukturuar?

Bazuar në Traktatin e Vjenës dhe në praktikën ndërkombëtare për krijimin dhe funksionimin e organizatave dhe nismave rajonale, është e domosdoshme që të krijohen organet drejtuese si dhe një qëndër administrimi e përbashkët e shteteve pjesëmarrëse në iniciativë. Në krye të administrimit ka dy struktura: një strukturë politikë-bërëse dhe vendim-marrëse, që përbëhet nga përfaqësues të lartë të vendeve anëtare dhe, një strukturë administrative që krijohet me stafe teknike dhe udhëhiqet nga një sekretar i përgjithshëm. Në krye të organeve drejtuese politike vendoset një përfaqësues i lartë, zakonisht me rotacion nga shtetet anëtare të nismës.
Këto organe politike dhe qendra e përbashkët administrative synojnë që të ndjekin zbatimin e traktatit e marrëveshjeve të lidhur mes palëve, të firmosura dhe ratifikuara në këtë kuadër, të informojë rregullisht pjesëmarrësit për ecurinë, problematikat dhe aspekte të tjera, të organizojë takimet e rregullta periodike të parashikuara në statutin e organizatës apo nismës, duke filluar nga agjenda deri te protokolli dhe dokumentet që miratohen në proces.
Nisma e ‘minishengenit Ballkanik’ apo e “Ballkanit të tkurrur’, nuk duket të ketë themeluar një strukturë të tillë me organet drejtuese dhe strukturë drejtimi administrativ politik dhe administrativ. Gjithçka duket t‘i jetë lënë spontanitetit diletant, pa parashikime profesionale, pa vizione afatgjate, pa përgjegjshmëri dhe pa llogaridhënie politike. Kështu, mund të themi që nismës, së paku deri tani i mungojnë organet kapilare drejtuese politike dhe administrative për zbatimin e qëllimit, objektivave dhe projekteve. Pa këto organe dhe pa këtë strukturë politike dhe administrative nisma rajonale nuk mund të ekzistojnë dhe aq më pak të nuk mund të jetësohen.
Si konkluzion mund të themi se nisma e minishengenit Ballkanik, e quajtur me emrin “Ballkani i hapur” nuk plotëson përgjithësisht parimet, normat juridike dhe praktikën ndërkombëtare të një nisme rajonale, nuk është gjithëpërfshirëse konform emrit të saj, por përjashtuese sepse nuk ka arritur të harmonizojë qëllimin e përbashkët të nismës me interesat e shteteve individuale Ballkanike, nuk ka arritur të sigurojë bazat e saj të përbashkëta financiare për të funksionuar, nuk ka krijuar strukturën e saj drejtuese politike vendim-marrëse dhe atë administrative për menaxhimin e punëve.
Edhe mbas takimit të tetë të saj, iniciativa e minishengenit Ballkanik nuk arriti të konstituojë këto parime, norma, financa e struktura lidershipi dhe administrative, nuk i është bashkëngjitur qartësisht dhe vendosmërisht integrimit ne BE dhe procesit të Berlinit që rrjedh prej tij, duke ulur gjithnjë e më shumë pritshmëritë ndaj saj.