Fundamenti

Testi i arritshmërisë, ose nxitja dhe shpërblimi i kopjimit dhe hajnisë

/ 4 minuta lexim

Nga Sinan Sadiku – Testi i arritshmërisë, sikurse edhe testi i maturës, ashtu si zbatohen në Kosovë, i favorizojnë nxënësit e dobët dhe i diskriminojnë e dekurajojnë nxënësit e zellshëm. Ka ngjarë në disa klasë që në testin e arritshmërisë kanë “shkëlqyer” nxënësit e dobët, ata të cilët deri në fund të vitit në gjysmën e lëndëve kanë pas nota të dobëta. Mesazhi që ju përcillet fëmijëve tanë, në moshën kur formohet personaliteti i tyre, është nëse nuk vjedh, edhe atë nëse nuk vjedh shumë, në Kosovë nuk ke ardhmëri. A ka diçka më keq se kjo ?! A mos po i “edukojmë” fëmijët tanë që të bëhen hajna, sepse në shoqërinë tonë shpërblehet më së shumti ai që donë dhe dinë të vjedh. Kështu ne po prodhojmë gjenerata të cilat nuk premtojnë zhvillim, kulturë, humanizëm, etikë… sundim të ligjit dhe respektim të rregullave e parimeve.

Ku ka më keq se të marrin më së shumti poenë në test ata nxënës të cilët në asnjë lëndë nuk e kanë merituar një tresh, ata nxënës për të cilët në çdo takim me prindër kujdestari ose kujdestarja e klasës ka treguar për njëshat e tyre, për problemet dhe sjelljet e pahijshme me të cilat i kanë penguar të mësojnë edhe nxënësit e tjerë? Në fund mu ata nxënës sistemi ynë arsimor i shpërblen dhe njëkohësisht i ndëshkon nxënësit e mirë, sepse edhe mësimi në një farë mase është garë. Tek ne këtë garë po e fitojnë ata që vjedhin. Kështu vjedhja jo vetëm që lejohet por edhe nxitet. Nuk besoj që ka mundësi t`i bëhet diçka më keq se kjo këtij vendi. Kjo që po ngjan tek ne në shtetet e zhvilluara evropiane as nuk imagjinohet, e besa nuk praktikohet as në shtetet e rajonit ose diku tjetër.

Ky sistem i yni do të prodhoj absurditete. Këta nxënësit e dobët që duke vjedhur dhe kopjuar i kanë arrit poenët maksimal, njësoj do të veprojnë edhe në testin e maturës. Këta me vjedhje, kopjime, dallavere do ta kryejnë fakultetin, masterin dhe do të doktorojnë. Bile ka mundësi që një nxënës i dobët të “doktorojë” pa e lexuar as temën e doktoratës dhe tu jap mësim në universitet fëmijëve të nxënësve të shkëlqyeshëm. Pra sistemi i sëmurë arsimor do të prodhoj të tilla absurditete të cilat shoqërinë tonë do ta qojnë në dështim. Do ta bëjnë një vend (nëse tani më nuk është bërë) ku nuk ka mundësi të jetohet me punë të ndershme.

Uji Dea

Për vlerësimet gënjeshtare që i prodhojnë testi i arritshmërisë dhe testi i maturës e dinë të gjithë: edhe arsimtarë, edhe inspektorët, edhe drejtorët e të gjitha niveleve, edhe ministri. Shumica e arsimtarëve punën e kanë kryer me ndërgjegje, duke i vlerësuar nxënësit me ato nota që i kanë merituar, por testi i arritshmërisë ua ç`vlerëson punën, ua qet poshtë mundin, angazhimin dhe i dekurajon, i zhgënjen, madje edhe i nxit që të mos punojnë… Ata nuk kanë mundësi ta ndryshojnë sistemin edhe pse i dinë dëmet e mëdha që i shkakton duke ua quar poshtë punën, mundin, sakrificën.

Keq është duke luajtur me fëmijët tanë ministria e arsimit. Një komb që e çmon si vlerë dhe shpërblen kopjimin, hajninë nuk ka ardhmëri./rajonipress/