Terziu: Prokuroria po tregohet e dobët përballë krimit të organizuar
Gjilan – Shaban Terziu nga shoqëria civile thotë për rajonipress se krimi më i madh i pasluftës që po vazhdon edhe në pesë muajt e fundit është pikërisht ndërtimi i egër dhe i lartë në çdo cep të Gjilanit. Prokuroria nuk duhet të heshtë ndaj këtij fenomeni sepse këtu kemi shpërlarje të parasë mes bizneseve të ndryshme derisa toka e Gjilanit dhe hapësira urbanistike po shkatërrohet çdo ditë.
Shoqëria civile po ndihet e shqetësuar me ndryshimin e hartës gjeografike të Gjilanit e cila në pesë muajt e fundit ka ndryshuar në mënyrë radikale.
Shabana Terziu nga OJQ “Lansdowne” thotë për rajonipress se Prokuroria e Gjilanit po tregohet e dobët përballë krimit të organizuar. “Prokuroria po hesht dhe po tregohet servile ndaj pushteteve. Ka disa muaj që asnjë deklarim të zyrtareve të kësaj prokurorie nuk e kemi dëgjuar. Prokuroria nuk duhet të dorëzohet përballë krimit sepse misioni i saj është që të hetojë të gjitha dyshimet e ngritura nga qytetarët” shprehet Terziu.
Sipas Terziut ndërtimet e larta dhe ndërtimet e egra janë krimi më i madh që po i ndodhë Gjilanit. “Shpërlarja e parasë po ndodhë pikërisht në këtë fushë. Vetëm shikojeni hapësirën te fabrika e bukës “Kualiteti” ose përballë “Agmisë” dhe mund ta gjeni përgjigjen” thotë Terziu.
Terziu tha se deklaratat e kryeprokurorit se do të luftohet çdo lloj i krimit vërtet ishin shumë optimiste në fillim, por tani këto slogane disi po zbehen dhe prokuroria po tregohet e pavendosur./rajonipress/


