Terrorizmi, tensioni evropian dhe pasiguria globale
Nga Burim Ramadani – Terrorizmi – e keqja madhore e botës.Bota në tërësi dhe shtetet veç e veç duhet të jenë të bashkuar për të triumfuar ndaj kësaj të keqeje madhore. Terrorizmi ka shumë ngjyra, por e përbashkëta e këtyre ngjyrave është vrasja në masë, frika dhe tmerri.
Në muajt e fundit, çdo 7-10 ditë ndodh nga një akt terrorist në Evropë. Gjenjda e tashme e sigurisë në Evropë mund të cilësohet si “gjendje tensioni”.
Franca ka gati 9 muaj në Gjendje të Jashtëzakonshme, Parisi më shumë se 1 vit, Belgjika shumë kohë nëpër këtë gjendje.
Terrorizmi global, i shtrirë në pothuajse të gjitha kontinentet, po përcillet edhe me rritje të kërcënimit nga terrorizmi i brendshëm.
Dehumanizimi i tjetrit, si strategji në shërbim të ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm, vetëm sa po merr përmasa më shqetësuese.
Rritja e ekstremizmit të djathtë evropian paraqet kapacitet të rritur dhune.
Krejt kësaj, i shtohet fatkeqësisht gjendja jo e qëndrueshme në Turqi, e cila duket të ketë hyrë në një fazë të paprecedent.
Në të njëjtën kohë, si për sherr, rritja e retorikës izolicioniste amerikane përmes një “kandidatit të kaosit”, Donald Trump, ndikon në një nivel më të lartë të pasigurisë globale. Fitorja eventuale e “kandidatit të kaosit”, mbi të gjitha do të nënkuptonte fitore të koncepteve kaotike dhe të pasigurisë botërore.
Pak javë më parë, saktësisht 1 muaj më herët, Mbretëria e Bashkuar (UK) i dha goditje të pashembullt dhe të paripariueshme Bashkimit Evropian. Me gjasë, e ktheu BE-në vetëm në një “union tregtar”.
E tërë kjo gjendje tensioni në Evropë dhe gjendje me premisa të mëdha pasigurie globale, domosdoshmërisht se ndikon në Ballkan dhe në Kosovë.
Të stërkequr nga qeverisjet joefektive e jodemokratike dhe të paaftë për të tejkaluar tensionet etnike më shumë se një shekullore, vendet e Ballkanit përballen direkt me efektet që jep kjo gjendje pasigurie globale.
Prandaj, edhe është e domosdoshme rritja e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikave shtetërore, rritja maksimale e arsyeshmërisë politike dhe njerëzore, si dhe tejkalim të qasjeve të ngushta partiake e grupore.

