Terrorizmi, kërcënim për Kosovën

Janë mbi 150 kosovarë që kanë shkuar në Siri për të luftuar kundër forcave të presidentit, Bashar Al-Assad. Disa prej tyre janë vrarë duke luftuar për “tokën e shenjtë”, ndërsa disa të tjerë tashmë janë kthyer në Kosovë. E mu kthimi i kosovarëve nga lufta e Sirisë, shihet si rrezik për sigurinë e përgjithshme në vend.
Sipas organeve të rendit, shqiptarët që kanë shkuar në Siri nuk veprojnë në mënyrë të organizuar dhe si të tillë nuk paraqesin rrezik të madh. Megjithatë, rrezik për sulme të mundshme terroriste në Kosovë vlerësohet se paraqesin individët, të cilët me t’u kthyer në Kosovë dhe si të tillë nuk kursehen nga përfshirja e mundshme në sulme terroriste. Së paku kështu e shohin situatën e sigurisë zyrtarë të organeve të rendit, të cilët janë duke punuar në disa raste ku ka të dyshuar për terrorizëm.
“Grupet ekstremiste në Kosovë nuk veprojnë në mënyrë aq të organizuar dhe si të tillë paraqesin rrezik të ultë për sulme terroriste. Por rrezik më të madh për Kosovën si shtet paraqesin individët”, thotë për “Zërin” një zyrtar nga organet e rendit, i cili preferon të flasë në kushte anonimiteti.
Gjashtë persona të dyshuar për tentim të kryerjes së veprës penale të terrorizmit janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë e Gjilan. Ani pse jo të gjithë nga të arrestuarit kanë qenë në Siri, ata dyshohen për të njëjtën vepër, por edhe për armëmbajtje pa leje.
Shtimi i numrit të shqiptarëve të përfshirë në luftën e Sirisë ka bërë që të mërkurën, për herë të parë Bashkësia Islame e Kosovës, të dalë me një komunikatë përmes së cilës i bën thirrje komunitetit mysliman, përkatësisht të rinjve kosovarë, që të mos shkojnë në Siri…(Zëri)