Terrorit të Gruevskit i ndihmuan shqiptarët
Tek futet në shtëpinë e rrënuar nuk përmbahet nga lotët. E mban për supe kushëriri i saj i parë që i shpreh keqardhje për dëmet në shtëpi. “Këto bëhen përsëri. Me rëndësi që kanë shpëtuar njerëzit”, i thotë kushërirës së tij rreth të dyzetave Blerim Ajdini.
Familja Ajdini me prejardhje nga Runica, fshat ky në kufi me Kosovën, ka vite që jeton në Kumanovë. Ata as që kanë pritur se shteti maqedonas do t’i bombardojë një ditë, duke ua shkatërruar gjithë atë që kanë. Ata bëjnë jetë kryesisht të varfër, sikurse edhe shumë banorë të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë, e banuar etnikisht me shqiptarë.
Banorët e lagjes, kryesisht të migruar nga fshatrat e Malësisë së Karadakut të komunës së Gjilanit dhe të Preshevës, ndonëse me vite të tëra ia paguajnë taksat shtetit maqedonas, nuk kanë fare nënshtetësi maqedonase.
Tek tymi dilte nga shtëpitë, oborret e të cilave ishin të mbushura me gëzhoja predhash të artilerisë së rëndë, banorë gjithandej Maqedonisë dhe Kosovës kishin shkuar për t’i vizituar komanovarët./zeri/


