RCCOLA

Termi “Vagjinë” përçan politikanë turqë

/ 4 minuta lexim
KKVITI

A guxon një femër e martuar dhe deputete e Parlamentit të Turqisë të përdorë fjalën “vagjinë”? Jo, thotë zëvendëskryeministri i Turqisë, duke nxitur kështu një debat të ashpër për barazinë gjinore në Turqi.

Pasi që Aylin Nazliaka, një deputete nga radhët e partisë opozitare CHP, kritikoi gjatë verës planet e qeverisë së Turqisë për të ndaluar abortin, duke e përdorur fjalën “vagjinë”, disa muaj më vonë në këtë vend ka plasur një debat mjaft i nxehtë dhe i ashpër: Bulent Arinc, zëvendëskryeministër i Turqisë, theksoi se turpërohet për shkak të përdorimit të këtij termi, gjatë një fjalimi të mbajtur së fundi në Parlament.

Nazliaka gjatë fjalimit të saj kishte deklaruar:”Kryeministri ti jap fund përpjekjeve të tij që të jetë mbrojtës i vagjinës”.

Në fillim të javës së kaluar, zëvendëskryeministri Arinc përmendi këtë deklaratë në parlament, me ç’rast tha:”Me plotë kuptimin e fjalës kam sharruar nën tokë, kur deputetja përmendi fjalën vagjinë. Kur folëm për temën e abortit ju keni përdorur një fjalë, që më ka bërë të skuqem. Si mundet një grua e martuar dhe një nënë të flet publikisht për organin e saj gjenital? Si mundet ta përdorë këtë fjalë dhe mos të kuqet në fytyrë?”.

Gjatë replikës së saj në seancën në të cilën u debatua për buxhetin e Turqisë, Nazliaka e shikoi Arincin drejtë në sy. Kjo i pengoi atij dhe Arinc e luti deputeten që ti drejtohej parlamentit.

Me këtë rast, Arinc e cilësoi Nazliakan si “deputete femër”. Në gjuhën turke nuk ekziston fjala deputet në gjininë femërore. Nazliaka e cilësoi fjalimin e zëvendëskryeministrit të Turqisë si “seksist”.

“Ai thotë se po turpërohet për shkak se po e shikoj drejtë në sy. Do të dëshiroja që zëvendëskryeministri të mos turpërohet për shkak të gjinisë së tij, por për shkak të fjalëve të tij. Nuk i mbështesë deklaratat e tij dhe dëshiroj t’ia dhuroj një libër për barazi gjinore. Ne dëshirojmë që të na shihni si personalitete, e jo si femra”, tha Nazliaka.

Më tutje, ajo akuzoi Arincin se me deklaratat e tij seksiste ai thjeshtë ka synuar të zhvendosë vëmendjen nga diskutimi për Bankën Vakif, duke shtuar se ai në lidhje me këtë bankë ka ndryshuar për 180 gradë qëndrimin e tij që nga viti 2000.

Uji Dea

“Thjeshtë, synimi i tij ishte që të ndryshojë agjendën politike. Qëllimi i Arincit është që të heshtë politikanët e CHP-së”, deklaroi Nazliaka.

Ajo shtoi se qëndron prapa deklaratës së saj, kur e quajti mbrojtës të vagjinës kryeministrin e Turqisë, Rejjep Tayip Erdoganin.

“Për aq kohë sa qeveria bën politikë me intimitetin, atëherë unë mund të përdorë termin shkencor vagjina”, shtoi Nazliaka.

Gjatë verës, qeveria e Turqisë kishte planifikuar ndalimin e abortit, duke e lejuar atë vetëm në raste urgjente mjekësore, kur rrezikohet jeta e nënës. Në anën tjetër, Erdogan kërkoi publikisht që çdo femër në Turqi të lindë nga së paku tre fëmijë.

“Telefonatat, e-mailat dhe reagimet në mediet sociale dëshmojnë se më mbështesin njerëzit nga të gjitha shtresat e shoqërisë”, theksoi Nazliaka.

Debati për “vagjinën” nxiti reagime të shumta në Facebook dhe Tëitter, pjesa më e madhe e të cilave kishin qëndrim kritik ndaj planeve dhe qëndrimeve të qeverisë së Turqisë.

“Me gjasë ju besoni, pasi që vazhdimisht kërkoni nga femrat turke që të lindin nga tre fëmijë, se fëmijët do të dalin nga goja”, shkroi një student i Universitetit me renome, Sabanci.

“Juve me gjasë nuk ju pëlqen vendi, prej nga dalin fëmijët”, shkroi një shfrytëzues tjetër i Twitterit. (Die Welt)