FIDANISHTJA

‘Tërheqja’ e Thaçit

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para gati një muaj pati marrë iniciativën për krijimin e ushtrisë nëpërmjet një ligji të ri, mirëpo para pak ditësh ai ka deklaruar se është i gatshëm për ndërrime kushtetuese.

Kjo tërheqje e Thaçit ka ardhur pikërisht nga presioni i ndërkombëtarëve. Kështu së paku konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se Thaçi do të duhej të jepte dorëheqje në pamundësi për ta bërë ushtrinë nëpërmjet ligjit, ashtu siç qe zotuar. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare konsiderojnë se opozita e ka përkrahur vazhdimisht bërjen e ushtrisë, porse tërheqja e Thaçit nuk është e befasishme.

Ata madje konsiderojnë se edhe presidenti Thaçi e po ashtu edhe kryeministri Isa Mustafa nuk kanë guxim që të merren me çështje madhore, siç është krijimi i ushtrisë. Ndërkohë, analistët politikë kanë vlerësuar se pala serbe në Kosovë ka shumë pak gjasa që t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese.

Thaçi: Të gatshëm për ndryshime kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak ditësh deklaroi se është i gatshëm t’i nisë ndryshimet kushtetuese për bërjen e ushtrisë, sado që para gati një muaji qe zotuar se atë do ta bënte nëpërmjet ligjit.

“Definitivisht ne jemi gati t’i nisim këto ndryshime kushtetuese. Do të vazhdojmë në ditët dhe në javët e ardhshme të flasim me komunitetin serb, me Listën Serbe dhe me të gjitha komunitetet e tjera që të jetë një proces i koordinuar dhe mirë i organizuar”, deklaroi ai në një intervistë për REL-in.

Opozita: Thaçi sponsorizoi Projektligjin për Ushtrinë, por ai ngeli në sirtar

Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka vlerësuar se as presidenti Hashim Thaçi e as kryeministri Isa Mustafa nuk kanë guxim për të vepruar për çështje madhore, siç është ushtria.

“Thaçi vetë e ka sponsorizuar Projektligjin dhe ai ka ngelur në sirtar tek Isa Mustafa. Ne nuk kemi udhëheqës të guximshëm të bëjnë diçka konkrete për vendin sepse në radhë të parë kujdesen për ruajtjen e karrigeve dhe posteve të veta dhe në asnjë mënyrë nuk i rrezikojnë këto poste”, ka deklaruar më tutje ajo.

Sipas saj, opsioni më i mirë për bërjen e ushtrisë është nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe ka potencuar se AAK-ja ka qenë gjithmonë pro krijimin të ushtrisë.

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, ka vlerësuar se ndryshimi i qëndrimit të presidentit Thaçi për bërjen e ushtrisë një herë nëpërmjet ligjit, tash nëpërmjet ndërrimeve kushtetuese nuk është i befasishëm.

“Qëndrimi i z. Thaçit nuk është befasi për ‘Nismën’, si gjithmonë kërkon mundësi për të krijuar situata të papërshtatshme për vendin e me trauma për qytetarë. Ushtria është, vetëm duhet ndryshuar misionin dhe duhet shtuar kapacitetet operacionale dhe atë në bashkëpunim me SHBA-në”, ka deklaruar Hoti.

Beqaj: Thaçi do të duhej të dorëhiqej

Kurse politologu Belul Beqaj ka deklaruar se presidenti Thaçi ka gabuar shumë kur nuk i ka marrë parasysh deklaratat e ndërkombëtarëve për t’u tërhequr në mënyrë të ndershme.

“Mendoj se ai dhe disa të tjerë që nuk e kanë marrë parasysh sugjerimin më dashamirës të ish-zyrtarit të lartë amerikan J.Rubinit, i cili pati këshilluar që më mirë të tërhiqen me nder sesa ta vazhdojnë karrierën politike në mënyrë të pandershme, po gabojnë shumë. Deklarata e fundit se është i gatshëm për ndryshime kushtetuese, këtë edhe zogjtë e malit e kanë ditur. Amendamentimi i Kushtetutës është e drejtë e tij kushtetuese, për të cilën s’ka pse të dëshmojë gatishmëri”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, sikur të kishte ndërgjegje Thaçi do të dorëhiqej pasi ushtria nuk u bë nëpërmjet ligjit.

FIDANISHTJA

“Sikur ta posedonte minimumin e ndërgjegjes dhe të përgjegjësisë politike, për shkak se nuk ndodhi transformimi i FSK-në ushtri me ligj, ashtu si insistoi në aventurën shumë të dëmshme, do të duhej të jepte dorëheqje të cilën publikisht e ka premtuar”, ka potencuar Beqaj.

Ai më tej ka thënë se derisa KFOR-i (NATO-ja) është në Kosovë, veprimet për krijimin e ushtrisë duhet të përfundojnë atë ditë kur Kosova do të anëtarësohet në NATO.

Murati: Tërheqja e Thaçit vjen nga presioni ndërkombëtar

Ndërkohë Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se Thaçi është tërhequr nga iniciativa për bërjen e ushtrisë përmes ligjit nga presioni që ka pasur nga ndërkombëtarët.

“Tërheqja e presidentit pa dyshim që vjen si rezultat i presionit ndërkombëtar. Që në fillim të iniciativës së presidentit pati kundërshtime të ashpra nga të gjithë aleatët e Kosovës, madje nuk pati edhe konsensus të nevojshëm nga subjektet politike dhe institucionet e vendit për procedim të ushtrisë përmes projektligjit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, është gati e pamundur që të besohet se Lista Serbe do ta përkrahë krijimin e ushtrisë nëpërmjet ndryshimit kushtetues.

Ramadani: Nëse ka koordinim, ushtria brenda këtij viti

Kurse Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka konsideruar se Kosova duhet t’i ruajë raportet me ndërkombëtarët. Megjithatë, ai është shprehur optimist se Kosova do të bëhet me ushtri brenda këtij viti.

“Qartësisht se Kosova duhet ta ruajë mbështetjen ndërkombëtare, në rend të parë të SHBA-së, në procesin e themelimit të ushtrisë së Kosovës. Tashmë është e qartë se ky moment i krijuar është i pakthyeshëm. Pra, Kosova do ta ketë ushtrinë e saj gjatë vitit 2017, nëse arrihet të ndërtohet një përpjekje e përbashkët midis institucioneve kosovare dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka deklaruar ai.

Abazi: Nuk ka ushtri pa ndryshime kushtetuese

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka vlerësuar se nisma e presidentit për krijimin e ushtrisë është bërë vetëm për ta tërhequr vëmendjen prej dështimeve të tjera.

“Nisma e presidentit Thaçi është vetëm një manovrim taktik për ta hequr vëmendjen prej dështimeve të Demarkacionit dhe rrjedhimisht dështimin e njohjeve dhe liberalizimin e vizave dhe kështu me radhë, deri tek dështimi në UNESCO”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk mund të ketë ushtri pa ndërrime kushtetuese.

“Nuk ka ushtri pa kushtetutë dhe ndryshimet kushtetuese janë kërkuar më herët dhe ka pasur një marrëveshje kur ka rënë Pacolli prej Presidencës, por PDK-ja dhe Thaçi e kanë bllokuar atë reformë dhe kanë hyrë në dialog i cili ka prodhuar Listën Serbe”, ka shtuar ai.

Abazi më tej ka thënë se Lista Serbe nuk është kthyer në Kuvend për shkak të ushtrisë, porse për shkak që të mos e humbë mandatin.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.