Tentimi i ri i Mustafës dhe i Thaçit për t’i mashtruar qytetarët
Opozita nuk e ha karremin për dërgimin e “Zajednicës” në Kushtetuesen e kapur nga politika.
Haxhiu: Opozita nuk bën kompromise as me agjendën mashtruese të kryeministrit
“Arsyetimi se Gjykata Kushtetuese do ta japë mendimin, është vetëm sa për ta gjuajtur topin te një mekanizëm, i cili është krejtësisht i varur nga politika ditore e Qeverisë aktuale. Gjykata Kushtetuese ka vite që përgjigjet i ka dhënë në favor të Qeverisë, edhe në qeverinë e kaluar, kur ka qenë kryeministër Hashim Thaçi, edhe tani”, thotë deputeti Zafir Berisha
Sado që kreu i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, firmosjen e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një autonomi kulturore me premisa të rrezikshme për t’u avancuar në autonomi territoriale dhe mundësi të shkëputjes në proces prej shtetit të Kosovës, po mundohet ta arsyetojë me blerje të paqes së rrejshme në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, subjektet politike në opozitë theksojnë se edhe kjo Gjykatë e ka humbur besimin me vendimet e deritanishme në favor të politikës.
Prandaj, sipas tyre, është i pritshëm një interpretim, i cili edhe tani mund të shkojë në dëm të shtetit të Kosovë. Pozicionimi i kryeministrit në pritjen nga Gjykata Kushtetuese, sipas opozitarëve, është vetëm një hipokrizi dhe tentim mashtrimi i radhës dhe një përpjekje për t’i hedhur hi syve të opinionit të gjerë nga Isa Mustafa, derisa dihet mirëfilli që edhe ky institucion është i kapur nga kthetrat e politikës. Këtë më së miri po e dëshmon zvarritja e kompletimit të Gjykatës me dy anëtarë të rinj, për shkak të preferencave të ndryshme politike e parapolitike në Kuvendin me vota të blera./kosova sot/


