Tenori shqiptar, Agim Hushi, paraqitet para publikut zviceran në Cyrih
Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Agim Hushi, ka performuar në organizim të “Modestia cum Libertate” në Zürich, në koncertin me titull: „SCHÖNSTE TENOR ARIEN VON VERDI & PUCCINI – AGIM HUSHI, Tenor ANDRES JOHO, Klavier“.
Ariet më të bukura nga Verdi dhe Puçini janë kënduar para publikut zviceran nga tenori Agim Hushi, i shoqëruar në piano nga Andres Joho.
“Koncerti kishte një sukses të jashtëzakonshëm, në sallën më të vjetër të Zvicrës, ku ka luajtur Paganini, Listi dhe ku interpretojnë disa nga yjet më të mëdhenj të botës, në prani të një audience nga më elitarët e Evropës, e cila me duartrokiti gjatë për minuta të tëra në këmbë”, ka thënë në Facebook tenori i përmasave botërore, Agim Hushi.
“Zurichu më dha një kënaqësi të rrallë me bukuritë, parqet buzë ujit, kopshtin kinez, arkitekturën e mrekullueshme”, tha Hushi pas koncertit të shtunës mbrëma.
Në faqen zyrtare të Modestia cum Libertate tenori Agim Hushi është vlerësuar të jetë i klasit botëror, i cili në debutimin e tij në operën e Sydney u krahasua nga kritika me Beniamino Gigli, ndërsa tenori legjendar, Franco Corelli, u mrekullua prej zërit të tij të fortë e të bukur.
Agim Hushi është i lindur më 1 maj 1967 në Kavajë. Është shqiptar me shtetësi australiane. Pas studimeve universitare për letërsi dhe psikologji në Tiranë, ai u zbulua si një talent muzikor me një zë të jashtëzakonshëm tenori. Ai ndoqi studimet në Akademinë Shqiptare të Arteve në Tiranë, nga e cila ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1991. Nga viti 1991-1992 ai ishte tenor kryesor në Operën e shtetit Shqiptar, ku kryente rolet kryesore të Tenorit Toska, Cavalleria Rusticana dhe Il Trovatore. Nga viti 1992-1995 Agim Hushi vazhdoi studimet e tij pasuniversitare në Akademinë Liszt Franz e Muzikës në Budapest, ku paralelisht me studimet vokale, ai u specializua në pedagogjinë e të kënduarit. Hushi aktualisht është Shef i Departamentit Opera në Konservatorin e Vjenës dhe konsiderohet si një nga mësuesit më kryesorë për këndim në Evropë. Ai ishte themeluesi i Shkollës Belcanto për këndim në Adelaide, Australi. Gjithashtu ai mësonte duke vazhduar të kënduarit e tij në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Agim Hushi ka dhënë leksione Masterclass në mbarë vendet e botës, si në Kinë, Australi, Zelandë të Re, Tajlandë, Malajzi, Singapor, Spanjë, Danimarkë dhe në shumë institucione të shquara të zëshme në vendet evropiane, si Santa Cecilia në Romë dhe në Ecole Normale në Paris.
albinfo.ch


