Fundamenti

Tenderomania kriminale e mposhti drejtësinë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre serioz, kapjen e këtij sistemi nga nëntoka kriminale dhe politika e inkriminuar.

Baraliu: Manipulimi dhe instrumentalizimi i drejtësisë dhe gjyqësisë po vazhdon të ndodhë

“Prokuroria së bashku me gjykatën janë pjesë e korporatokracisë së hajdutërisë dhe krimit, së bashku me politikën dhe me biznesin tenderofitues nuk kanë shansin dhe as mundësinë që të hetojnë dhe të gjykojnë korrupsionin me tenderët e parasë publike”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre serioz, kapjen e këtij sistemi nga nëntoka kriminale dhe politika e inkriminuar.

Sipas njohësve të kësaj fushe, Kosova do të mbetet shtet i krimit te organizuar, ku nëntoka kriminale është “de facto mbi ligjin” dhe vendos për gjithçka dhe ku për shkak të mossundimit të ligjit, pandëshkueshmëria është bërë mjerisht normë e rregull dhe mbi ligjin. Në këtë mënyrë, sipas njohësve të kësaj fushe, po vazhdojnë të mbisundojnë politikanët e inkriminuar, kriminelët e lidhur me ata, mafio-oligarkët e bizneseve të pista kriminale, shpërdoruesit e tenderëve, të cilët fare nuk i trembën drejtësisë e as ligjit, tani të zëvendësuar nga “Maliqët” e kriminalizuar. Është krijuar bindje e plotë,thonë analistët, se asnjë tender i vlerave të mëdha nuk ka pasur shans dhe nuk ka shans t’i jepet cilësdo kompani tjetër, po qe se ajo kompani nuk do të japë ryshfet, përqindje apo t`ia lagë fytin, siç e dëshmuan edhe përgjimet – regjistrimet, rasti i klani “PRONTO” i Adem Grabovcit & Co me Shkëlqim Devollin, politikanë, gjyqtarë e prokurorë, dhe jo vetëm! Është për t’u shqetësuar fakti,theksojnë analistët, që as Prokuroria Speciale, as Policia e krimeve ekonomike dhe i tërë sistemin i drejtësisë nuk po veprojnë më me efikasitet, po i mbyllin sytë para dhënies së tenderëve dhjetëra milionësh e deri në 50 milionë euro me tender njëburimor të kundërligjshëm, dhënies së lejeve ndërtimore nga klani i jahteve “Coca Cola Zero”, monopoleve kriminale, dhurimit të ndërmarrjeve publike klaneve të nëntokës kriminale përmes të ashtuquajturit MVNO e shumë e shumë krime të tjera ekonomike në 10 vitet e paspavarësisë. Gazetari iu ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Speciale edhe Policisë për krime ekonomike, por nuk ka marrë përgjigje.

AHMETI:PIRAMIDA KRIMINALE, FALË HIERARKISË INSTITUCIONALE, E CILA ËSHTË INSTRUMENTALIZUAR NGA POLITIKA

RCCOLA

Eksperti tjetër i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti thotë se piramida kriminale e ndërtuar për më shumë se një dekadë ka funksionalizuar falë hierarkisë institucionale, e cila është instrumetalizuar nga politika. “Politika, e saktësisht pushtet e pasluftës, kanë instrumetalizuar çdo institucion publik të pavarur duke transformuar në shërbim klientelës, nepotizmit e klientelizmi .Kjo logjike e instrumentalizimit politik përmes pushteteve të pasluftës ka prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike, e mbi të gjitha një anarki totale në institucionet publike. Nga ky kaos i funksionimit të institucioneve publike është prodhuar një realitet i pajetueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili realitet çdo ditë e më shumë po ngufat jetën institucionale, ekonomike e sociale. Kurse përmes tenderomanisë kanë instaluar një klimë të pafavorshme për operatorët ekonomikë të sinqertë e seriozë, duke kurdisur tenderët për klientelën e tyre biznesore të cilët kanë financuar subjektet e tyre në kohë fushate”, ka thënë ai. “Kjo ndërlidhje në mes pushtetit të korruptuar e kriminal me një pjesë të bizneseve të pista ka ndërtuar perandori të paluhatshme pushtetore, duke prodhuar pushtete të korruptuara në dy nivelet, të pushtetshëm dhe komod në karrigen e tyre. Gjykoj së në dy nivelet e pushteteve të Republikës së Kosovës ka vend për Prokurorinë e Shtetit, duke hetuar udhëheqësit e institucioneve për keqpërdorimet milionëshe e njëkohësisht duke sanksionuar ata”, shpjegon Ahmeti për “Kosova Sot”. Sipas tij, instalimi i frymës së ligjit e vë në binarë drejtësinë objektive.

Ndërsa zëri kritik vjen nga ekspertët e fushës. Instalimi i politikës kriminale Prof. i së drejtës Blerim Burjani tha për “Kosova Sot” se kjo situatë do të vazhdojë edhe më tutje të rëndojë shtetin e Kosovës, sepse kemi të instaluar një politikë kriminale. “Përfitimi përmes politikës apo krimit politik që bëhet ndaj pasurive të qytetarëve të Kosovës që tash kanë arritur të bëhen milionerë në bashkëpunimin me politikën po vazhdon, ky është edhe një gabim i madh i bizneseve që hyjnë në këtë pazar me njerëz që thonë se e kanë votën e popullit, dhe e keqpërdorin atë duke përfituar në tragjedinë dhe varfërinë e popullit. Kjo çështje po vjen duke u trashur shumë , madje disa kompani kanë mbërri te miliardat në Kosovë përmes formave të paligjshme, pa iu frikuar shtetit dhe rendit e ligjit, por të gjithë këta njerëz që kanë bërë gjëra të tilla të lidhur për politikën një ditë mund të rrezikojnë të mbeten bosh, t’u konfiskohet pasuria e paligjshme dhe të ndëshkohen. Kjo mund dhe do të ndodhë kurdo që në Kosovë fiton demokracia dhe rendi e ligji”, u shpreh Burjani për “Kosova Sot”.

Sipas prof. të së drejtës Mazllum Baraliu, është e saktë dhe aksiomatike, se sistemi i drejtësisë, e brenda tij edhe ai i gjyqësisë, realisht dhe objektivisht as nuk janë kredibile dhe as të pavarur në punën dhe veprimtarinë e tyre të shenjtë. “Këto institucione me vite të tëra janë instrumentalizuar e manipuluar dhe po manipulohen e ndikohen edhe sot e kësaj dite nga grupet joformale e formale, me ndikim dhe të pajisura me pushtet dhe mekanizma të fuqishëm kuazishtetërorë dhe interpartiakë, jo vetëm në drejtësi e gjyqësi, por edhe në të gjitha poret më vitale dhe relevante të shoqërisë sonë”, theksoi ai. “Manipulimi dhe instrumentalizimi i drejtësisë dhe gjyqësisë, fatkeqësisht, para syve të opinionit publik, po vazhdon të ndodhë edhe tani,madje edhe këto ditë; kur paskrupullësisht dhe pavërtetësish, trumbetohet se gjyqësori e paska kryer obligimin e tij – para nesh dhe para bashkësisë ndërkombëtare, meqë e paska luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ashtu dhe pikërisht aq sa e paskan kërkuar institucionet kompetente të Bashkimit Evropian, dhe për këtë vepër viganore e të përkryer u dashka që domosdoshmërisht dhe publikisht të ftohen e të falënderohen (URBI ET ORBI); gjë që edhe ata të oligarkisë pushtetore edhe në opinioni publik e dimë mirë,qartë dhe çiltër se,nuk është ashtu dhe as përafërsisht ashtu”, tha më tej Baraliu. Gazetari i ka dërguar pyetje edhe Prokuroria Speciale dhe Policisë së Kosovës, sektorit të krimeve ekonomike, por nuk ka marrë përgjigje nga ana e tyre.

KAPITI:TENDERËT U JEPEN ATYRE PREJ TË CILËVE POLITIKA, PUSHTETI DHE MAFIA E TYRE UA MERR PËRQINDJEN E VET

Sipas njohësit të së drejtës Skënder Kapitit, mënyra se si shteti i pushtetit dhe i politikës së kriminalizuar spekulojnë, kontrabandojnë dhe vjedhin e grabisin paranë publike duket edhe në investimet dhe tenderimet që bëjnë ato për interesin publik, ku fatin e fituesit të tenderëve e cakton interesi personal i pushtetit dhe i qeveritarëve të këtij grupi interesi parazitar që përfiton vetëm prej faktit se ka të drejtën e caktimit të tenderofituesve korruptiv dhe abuziv, që është dukuri e të gjitha vendeve ku nuk ka shtet të pakonsoliduar ligjor. “Kështu mund të thuhet se shkaku kryesor i betejës politike për pushtet në Shqipëri dhe në Kosovë është se tenderët milionësh dhe tepër të mëdhenj janë të paramenduar dhe të paracaktuar se kush do t’i fitojë ata. Ata u jepen atyre prej të cilëve politika, pushteti dhe mafia e tyre ua merr përqindjen e vet, vetëm për faktin e vulosjes së vendimmarrjes së përcaktuar jashtë institucioneve shtetërore nga ryshfeti, të cilin fituesi i tenderit ia ka premtuar “ligjzbatuesve ” formalistë të ankandeve apo të tenderëve. Dhe si gjithnjë fituesit janë po të njëjtët individë dhe po të njëjtat kompani,ata të cilët ushqejnë me paranë publike të dhënë nga shteti mafiooligarkët e pushtetit të shtetit”, u shpreh ai. “Sëmundja kryesore e politikës dhe e pushtetit në Shqipëri dhe në Kosovë është tenderomania, dhe lufta për pushtet, është lufta për të rrëmbyer të drejtën për zhvillimin e tenderëve, e cila është shans i artë që mafia politike fiton para e pasuri pa punë, pa biznes, por vetëm me biznesin që ua jep e drejta e dhënies së tenderit atyre, të cilët i ka parazgjedhur pushteti. Prokuroria, e cila ajo së bashku me gjykatën janë pjesë e korporatokracisë së hajdutërisë dhe krimit së bashku me politikën dhe me biznesin tenderofitues nuk kanë shansin dhe as mundësinë që të hetojnë dhe të gjykojnë korrupsionin me tenderët e parasë publike”, tha Kapiti për “Kosova Sot”. Sipas Kapitit, ky është realiteti i dhimbshëm ku politika,pushteti, biznesi dhe drejtësia pranë tyre janë dhe bëjnë ligjin, shtetin dhe paranë e pasurinë. “Ky sistem drejtësie nuk ka forcë për ta vendosur ligjin dhe drejtësinë, sepse është i paafte, i frikësuar, servil, i korruptuar dhe i kapur nga politika dhe krimi. Prandaj, duhet urgjent një Ligj VETTING për pastrimin e politikës, të drejtësisë dhe pse jo edhe të vetë shoqërisë, pasi edhe kjo e fundit është paralizuar dhe kapur nga “tenderomania”demokratike e pushteti , ku politika bën të gjitha llojet e biznesit të ulët për të rrëmbyer pushtet apo pjesë të tij”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.