Tenderomania, aty ku zhvaten milionat
Në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare të OJQ-ve dhe institucioneve të tjera financiare dhe politike, siç janë BB-ja FMN-ja dhe KE-ja, që flasin për Kosovën njëzëri theksohet se si pasojë e nivelit shumë të lartë të korrupsionit që po mbretëron në fushën e prokurimit publik, ka bërë që ky segment të bëhet një gangrenë për ekonominë kosovare.
Aplikimi i prokurimit elektronik nuk i ndalon aferat
Në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare të OJQ-ve dhe institucioneve të tjera financiare dhe politike, siç janë BB-ja FMN-ja dhe KE-ja, që flasin për Kosovën njëzëri theksohet se si pasojë e nivelit shumë të lartë të korrupsionit që po mbretëron në fushën e prokurimit publik, ka bërë që ky segment të bëhet një gangrenë për ekonominë kosovare. Janë më shumë se 700 milionë euro para nga buxheti i brishtë i Kosovës që nga tenderët e të dyja niveleve gjatë një viti kalojnë nëpër duart e zyrtarëve të kapur e të dyshuar si të korruptuar të prokurimit publik, nga të cilët po përfitojnë nëntoka e pushtetarëve, duke e shkatërruar me të madhe Kosovën. Shih për këtë analistët politikë, përfaqësues të bizneseve dhe shoqërisë civile, ekspertë ekonomie dhe deputetë të opozitës, thonë me të drejtë se niveli i lartë i korrupsionit që po mbretëron në fushën prokurimit publik është bërë një gangrenë për ekonominë e edhe ashtu të zbehur të Kosovës, ku tenderët po i marrin vetëm ato biznese që po e paguajnë hisen apo “tallin”, për pushtetarët dhe oligarkët vendorë. Ndërkaq, një fije shprese, sipas tyre, thonë se mbetet implementimi i prokurimit elektronik që nga fillimi i këtij viti dalëngadalë ka nisur së zbatuari në shumë nga komunat e vendit si dhe në institucionet e nivelit qendror, por me vërejtjet se edhe në atë drejtim Qeveria ka pasur çalime. Sipas ekspertëve, edhe ndryshimet kadrovike që ndodhën në OSHP nuk sollën ndonjë rezultat në luftimin e korrupsionit në procesin e prokurimit, shkruan gazeta Kosova Sot.
Sofistikimi i manipulimit të tenderëve
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa (LDK), tha se nuk ka asnjë fije dyshimi se tenderomania është një nga problemet më kryesore të zbatimit të ligjit. “Gjatë këtyre viteve, grupet e interesit e kanë sofistikuar në masë shumë të madhe mënyrën e manipulimit të tenderëve”, tha ai. Por, megjithatë, sipas Mustafës, po duket se këtyre viteve të fundit sikur është zvogëluar ky trend në tenderë dhe tashmë po shihen në sipërfaqe disa përpjekje që kjo të luftohet me sukses.”Këtu nevojitet një angazhim shumë i shtuar i të gjithëve, edhe i komunitetit të biznesit në rend të parë, sepse një faj dhe përgjegjësi të madhe e kanë edhe ato biznese që po e japin ryshfetin e jo vetëm ata pushtetarë që po e marrin ryshfetin”, potencoi Mustafa.
Ai tha se lufta duhet që të zhvillohet në shumë kënde për ta zbatuar shtetin ligjor dhe në këtë drejtim presim që edhe prokurimi elektronik do të zvogëlojë mundësitë e manipulimit.”Tash duhet të përqendrohemi tekë oferta që shpeshherë nuk përmbajnë sasitë dhe cilësitë, e sidomos kjo nuk realizohet mirë gjatë zbatimit të tenderëve. Andaj monitorimi i zbatimit të tenderëve me oferta duhet pasur një kujdes shumë më të madhe se a po zbatohet ajo në sasitë dhe cilësitë e kërkuara që për fushën e tenderëve është esenciale për të ecur më tutje”, vlerësoi më tej ai.
Korrupsioni ka depërtuar thellë në institucione
Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha se tash nuk ka më asnjë fije dyshimi se tenderomania është bërë një gangrenë për zhvillimin ekonomik të vendit si në aspektin e ekonomisë ashtu edhe në rrafshin politik.”Jam i bindur se zyrtarët e prokurimit publik janë rrëmbyer nga korrupsioni dhe tanimë ata nuk mund të dalin nga kthetrat e korrupsionit.
Sepse bëhet fjalë për një korrupsion që është strukturuar nga kokat e shtetit si nga niveli qendror dhe ai lokal”, theksoi ai.
Sipas opozitarit Hoti, korrupsioni i ka rrëmbyer drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit dhe tanimë si zgjidhje e vetme popullatës i mbetet vetëm ndryshimi i kësaj strukture të pushtetarëve aktualë.”Por, pushtetarët e tashëm duhet që të ndërrohen dhe jam i vetëdijshëm që qytetarët përmes një verdikti të votuesve të lirë e demokratik këtë politikë ta dërgojnë në shtëpi dhe më pas shpresojmë se do t’i hapet rruga një strukture të re ku secili do të japë përgjegjësi për dëmet që i ka shkaktuar vendit, tash e 17 vjet pas lufte”, theksoi ai.
Deputeti Hoti tha se është e pamundur të marrësh një tender pa qenë dhe pa u futur brenda kastës korruptive të këtyre strukturave politike që janë deri në fyt të korruptuara dhe subjekteve që janë pjesë e atyre kastave mund të marrin tenderë, sepse korrupsioni i ka rrëmbyer institucionet dhe bizneset tona./kosova sot/


