Fundamenti

Temperaturat e larta, kujdesi që duhet të tregojmë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Me rritjen e temperaturave shtohet edhe rreziku i infektimit të ushqimeve nga agjentët patogjenë
I nxehti ka ardhur zyrtarisht, por nëse nga pikëpamja e modës është një avantazh pasi lehtësohemi nga rrobat e dimrit, nuk mungojnë edhe disavantazhet, që janë të shumta si: dehidratim, vështirësi me tretjen e ushqimeve dhe shqetësime me barkun e stomakun.

Për të qenë të përgatitur, dietologët rekomandojnë si të shmangni rreziqet e kësaj stine dhe të shijoni vetëm bukurinë e saj.

Mos e teproni me kaloritë

Me të nxehtin energjitë tona pakësohen me 200-300 kalori në ditë, trupi nuk duhet të luftojë të ftohtin dhe si pasojë djeg më pak, kështu që bëni kujdes me racionet dhe yndyrnat.

Hani lehtë

Me verën dhe rritjen e temperaturave edhe proceset e tretjes “shkojnë me pushime” dhe bëhen më pak efikase. Sekreti është të hani pak e shpesh dhe kryesisht ushqime që treten lehtë. Reduktoni mishin e kuq dhe shtoni konsumin e peshkut, që tretet lehtë nga stomaku, sepse ka pak kalori dhe është i pasur me acide yndyrore që luftojnë kolesterolin e keq. Shmangni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe ato me shumë erëza, por jo të gjitha, sepse disa lloje erëzash edhe mund t’ju ndihmojnë në tretje. Të tilla janë menta, qimnoni, shafrani; speci djegës, xhenxhefili dhe piperi i zi e rrisin temperaturën e brendshme, nxisin djersitjen dhe japin një ndjenjë freskie (mund të provoni gjithashtu ujë me gjethe nenexhiku).

Kujdes me përhapjen e baktereve

UBT

Me rritjen e temperaturave shtohet edhe rreziku i infektimit të ushqimeve nga agjentët patogjenë. Për të shmangur rreziqet e mundshme duhet të rrisni konsumin e kosit që mbron dhe forcon mbrojtjet natyrore të organizmit. Gjithashtu ndihmon edhe në përthithjen më mirë të vitaminave dhe mineraleve. Kosi mund të përdoret si përbërës në përzierjet e frutave të freskëta.

Kompensimi i mineraleve të humbura

Është normale që me të nxehtin të rritet djersitja. Kundër humbjes së kripërave dhe lëngjeve të trupit duhen pirë të paktën dy litra ujë në ditë; të konsumohen shumë perime (kastraveca, selino, rrepka, domate) dhe fruta të freskëta (kajsi, rrush, pjeshkë, kumbulla) që përmbajnë shumë ujë, 75% deri në 95% (si në rastin e pjeprit dhe shalqirit). Shmangni zierjen e zarzavateve, sepse kështu i “zhvishni” nga vitaminat dhe kripërat minerale. Gjithashtu nuk duhen konsumuar pijet e gazuara dhe ato me sheqer që shtojnë kaloritë dhe janë të pasura me substanca të dëmshme për trupin. Mos e teproni me kafenë dhe pijet me kafeinë.

Bëni kujdes edhe me ushqimet që janë shumë të nxehta ose shumë të ftohta, sepse ndikojnë negativisht në mekanizmat e rregullimit të temperaturave. Ndalohen pijet alkoolike, sepse rrisin djersitjen e mund të shkaktojnë dehidratim dhe ç’është më kryesorja kufizojnë përthithjen e vitaminave, sidomos të B-së që ka një rol thelbësor në shndërrimin e kalorive në energji.

Kujdes fëmijët dhe të moshuarit

Personat e rritur janë më të prirur ndaj dehidratimit, sepse me kalimin e viteve mekanizmi që rregullon ndjesinë e etjes mund ta humbasë efikasitetin. Ndaj është e këshillueshme që ta rregullojnë dietën e tyre me kalium e magnez, duke konsumuar shumë fruta dhe zarzavate, sidomos banane, kajsi, bajame, fara luledielli, marule dhe ushqime integrale. E rëndësishme është që në pjatë të jenë të gjitha substancat e nevojshme dhe të eliminohen ushqimet e kripura, sepse “sekuestrojnë” ujin. Për fëmijët është normale që gjatë verës të kenë mungesë oreksi dhe nuk duhet të sforcohen shumë që të hanë sepse janë mekanizmat e tyre rregullues, tepër të saktë, që sillen ndryshe nëse kanë shumë vapë.