Eko Higjiena

Temperatura përvëluese dhe vapë, personat me sëmundje kronike nuk rekomandohet të ekspozohen në diell

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se për sot parashihet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vapë.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-36 gradë Celsius.

IHK njofton se do të fryjë erë e lehtë deri mesatare drejtimesh të ndryshme.

Ndërkaq, për të premten parashihet të mbajë mot kryesisht i ngjashëm, me diell dhe vapë.

Në vlerat e temperaturave minimale parashihen rritje të lehta, ndërsa maksimalet për 2-3 gradë parashihen të kenë ulje.

Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare. IHK bën thirrje për kujdes gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta.

Ky mot me temperatura përvëluese ka bërë që të rritet numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Fundamenti

Në këtë institucion shëndetësor, në repartin e mjekësisë familjare, numri i pacientëve që trajtohen brenda ditës është 250-300, thotë Drita Peqani-Gashi, specialiste e mjekësisë familjare.

Në një intervistë për Telegrafin ajo tregoi se në QKMF-në në Prishtinë, numri i pacientëve që marrin shërbime mjekësore brenda muajit shkon deri në 7 mijë e 700.

Në fund, ajo dha edhe disa këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta, veçanërisht për personat që janë më të ndjeshëm.

“Personat të cilët janë më të ndjeshëm, pra kategoritë e personave më të rrezikuar, nga ora 11:00 deri në 17:00 të mos dalin në ambientet e jashtme, ndërsa ambientet e brendshme ku qëndrojnë duhet të jenë të ajrosura mirë dhe të ventiluara.

Pastaj, nëse dalin jashtë duhet të mbrohen me kapele, syze dhe të vishen me ngjyra të hapura dhe me rroba që janë të pambukut apo lirit. Të konsumojnë të paktën dy litra ujë në ditë dhe të mos konsumojnë yndyra apo ushqime që janë më të vështira për t’u tretur.

Të mos shtohet numri i kalorive, por kryesisht të ushqehen me perime dhe pemë që janë të pasura me vitamina dhe kanë sasi të mjaftueshme të ujit”, përfundon specialistja mjekësore. /Telegrafi/