Tekstet e reja shkollore, në fokus të seminarit
Përdorimi i teksteve të reja shkollore në procesin mësimor, ishte tema e këtij seminari të mbajtur në Cyrih dhe në Gjenevë.
Seminari trajnues – “Përdorimi i teksteve të reja shkollore në procesin mësimor” u zhvillua më 22 (Cyrih) dhe 23 nëntor 2012 në sallën qendrore të konferencave në godinën e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë.
Seminari u zhvillua nën kujdesin e përbashkët të shoqatës Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar”Naim Frashëri” në Zvicër, të Hamzë Morinës, Koordinator, dhe të Ali Mehmetit, sekretar i LAPSH-it në Gjenevë.
Në seminar morën pjesë mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe që nga Gjeneva, Vaudi, Neoshateli, Shed- Fa e Jura.
Nuhi Gashit, zyrtar i MASHT-it i Republikës së Kosovës, i takoi nderi të hapte seminarin që ishte një përpjekje e një analizë shkencore të shkrirë në tekstet e reja për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, që tani më janë në duar të nxënësve dhe mësuesve shqiptarë. Ai u ndal tek tema ” Roli identitar i mësimit të gjuhës shqipe dhe puna me tekstet shkollore aktuale të posa hartuara.
Prof. dr. Dr Basil Schader, albanologu i shquar zviceran i cili vuri themelet e albanologjisë zvicerane dhe jep ndihmesën e tij të çmuar në fushën e arsimit shqiptar, realizoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, me MASHT e Kosovës projektin “Standarde për tekstet shkollore”. Ai po ashtu me rigorozitet shkencor dhe modesti shembullore, realizoi projektin madhor për një kohë katër vjeçare “Tekste shkollore të gjuhës shqipe për diasporë” të quajtura fletore tematike gjithsej 19 të hartuar për katër nivelet e grup moshave – klasave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Dje u ndal veçanërisht te “Koncepti profesional i projektit, realizimi dhe të përgjithshmet e tij”. Duke i shprehur mirënjohje për mirësinë e tij ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare le të jetë ky tekst dhe një mesazh nderimi për personalitetin e shquar të arsimit shqiptar, pedagogun zviceran z. Basil Schader.
Niveli shkencor, pedagogjik e metodik i tekstit gjykohet më mirë e më saktë në procesin mësimor, ku spikatin vlerat konkrete të tij. Ky seminar, pati më tepër karakter orientues, me qëllim që të drejtonte mësuesit në dukuritë themelore pedagogjike që lidhen me përdorimin e teksteve mësimore.
Më tej shkrimtari, pedagogu Arif Demolli nisi ligjërimin me temën” Aparatura pedagogjike në funksion të njohjes e të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të integrimit ndërlëndor”.
Për ilustrim shembuj përvoje për tekstet e reja mësimore dha prof Nexhmije Mehmetaj bashkautor në hartimin e teksteve, paraqiti temën “Planifikimi i mësimit me tekste të reja”.
Tekstet e reja mësimore u vinë në ndihmë mësuesve për të realizuar cilësisht mësimdhënien e lëndës së gjuhës shqipe në shkollën e mësimit plotësues.
Sigurisht, secili mësues, mbi bazën e këtyre teksteve, mund të ndërtojë një “strategji” të vetën, duke e shtuar a duke e pakësuar vëllimin e lëndës, në përputhje me nivelin e nxënësve të tij.
Ato janë hartuar mbi bazën e parimeve të gjuhësisë e të didaktikës bashkëkohore.
Tekstet e pranishme besojmë se do të jenë një udhërrëfyes i dobishëm në këtë punë fisnike me përgjegjësi e vlerë kombëtare.
Gjithashtu në pjesën e dytë të seminarit u organizua bashkëbisedime, anketa, me mësues/e për çështje të ndryshme të tekstit, dhanë mendime të argumentuara dhe sugjerime konkrete. Në bazë të tyre do të nxirren konkluzione përfundimtare të vëzhgimeve, mbi bazën e të cilave në botimin e dytë bëhet përmirësimi mëtejshëm i teksteve shkollore.
Tekstet janë mjaft komunikues me nxënës dhe nxitin mendimin e tij për të arsyetuar në mënyrë të pavarur. Gjithashtu shtjellimi i materialit është bërë i natyrshëm përkufizimet janë dhënë qartë.(albinfo)