Të vajtosh Hollywoodin
Nga Imer Mushkolaj – Diskursi në Serbi karshi Kosovës i ngjan përrallës me mbretin lakuriq. Të gjithë e shohin se krahina e dikurshme “iu ka dalë doresh”, por pakkush e pranon publikisht. Ka të atillë që thonë se s’ka Serbi pa mite, pa Kosovën, siç nuk mund të ketë Amerikë pa Hollywoodin. Emir Kusturicës i mbetet ta xhirojë një film me fund tragjik. Mund ta quajë “Të vajtosh Hollywoodin”.
Igumeni i Manastirit të Deçanit, Ati Sava Janjic, asnjëherë nuk ka qenë më aktiv në Twitter sesa ditët e fundit, në përpjekjet për t’i kthyer përgjigje secilit që nuk pajtohet me qasjen e tij ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Argumenti tij kryesor është se Kosova nuk mund të bëhet pjesë e kësaj organizate, pa u dhënë paraprakisht garanca për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në dialogun e Brukselit.
Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO dhe paralajmërimi për hapjen e kapitullit të 35-të të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE kanë shkaktuar një valë reagimesh në Beograd – që nga kreu shtetëror, deri te akademikë e artistë.
Përderisa presidenti Tomislav Nikolic ka thënë se njohja e Kosovës së pavarur do të shkaktonte luftë qytetare në Serbi, historiani Predrag J. Markovic, njëherësh zëvendëskryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) është shprehur se në të ardhmen, Serbia mund ta blejë Kosovën.
“Kosova është një vrimë e zezë e mungesës së ligjit… Përveç operatorëve të telefonisë mobile, pompave të benzinës dhe autolarjeve, atje nuk funksionon asgjë. I vetmi shtet që do ta ketë vullnetin të investojë atje është Serbia dhe nëse do të bëhet shtet i pasur, do të mundet edhe ta blejë Kosovën”, ka theksuar ai.
Natyrisht, anash nuk ka qëndruar as regjisori kontravers Emir Kusturica, i cili në fjalimin e mbajtur në përvjetorin e shtatë të themelimit të Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vucicit ka bërë një krahasim interesant. Pasi është shfryrë duke thënë se Kosova është plaçkitja më e madhe politike e historisë së re, ai është shprehur se njohja formale e saj, por edhe pranimi i saj si republikë, do të thoshte shkatërrim i mitologjisë serbe. “Sepse, nëse vrasësit na i marrin mitet, s’ka Serbi, siç nuk mund të ketë Amerikë pa Hollywood”.
Në të tilla raste të ekzaltimit nacionalist e folklorik, gjenden edhe mendje të shëndosha, që logjikojnë me racionalitet. I tillë u shfaq kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Vladimir Kostic, i cili shkaktoi tërmet me deklaratën e tij se popullit serb duhet t’i tregojë dikush se Kosova as de jure, as de facto nuk është në duart e Serbisë.
Historiania Latinka Perovic e mbështeti kryeakademikun, duke deklaruar se ai ka thënë të vërtetën në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Në mbështetje të akademikut Kostic kanë dalë edhe mbi njëqind personalitete të jetës publike të Serbisë. Presidenti Nikolic ka thënë se ai do të duhej të largohej nga posti, kurse kryeministri Vucic ndonëse nuk është pajtuar me deklaratën e Kosticit, është shprehur se ai ka të drejtë të ketë mendimin e tij.
* * *
Diskursi publik në Serbi karshi Kosovës i ngjan përrallës me mbretin lakuriq. Të gjithë e shohin se krahina e dikurshme “iu ka dalë doresh”, por pakkush e pranon publikisht. Ata që e kanë guximin ta thonë të vërtetën, vihen në shënjestër, vendosen në “shtyllën e turpit”, madje shpallen edhe tradhtarë.
Kapitulli i 35-të i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE është kthyer në ankth për kreun shtetëror serb, pasi që nënkupton pamundësinë e vazhdimit të politikës “Edhe Kosova, edhe Europa”. Tashmë është e qartë se pa qartësimin e raporteve me Kosovën shtet, Serbia nuk mund të bëjë hapa tutje në integrimet europiane. Çështja është se si gjithçka të përfundojë me sa më pak dhumbje.
E rëndësishme për udhëheqjen serbe është gjetja e një strategjie dalëse, që do të nënkuptonte pranim të realitetit, por pa pasoja në stabilitetin brenda vendit.
Pavarësisht se mund të tingëllojë ironike, për arsye se Akademia… serbe asnjëherë nuk ka dënuar krimet që ka kryer regjimi serb gjithandej rajonit, përkundrazi, ka qenë qendër e hartimit të planeve shfarosëse për shqiiptarët, deklarata e kryeakademikut Kostic është e rëndësishme dhe domethënëse. Edhe për shkak të postit që mban. Sikur fëmija në përrallën e njohur, ai vetëm tha se mbreti është lakuriq. E tha atë që tjerë para tij e si ai nuk e kanë thënë. E tha atë që e dinë thuajse të gjithë, por hezitojnë ta thonë, nuk duan ta pranojnë.
E di edhe Emir Kusturica, i cili flet për rrëmbimin e miteve nga “vrasësit” shqiptarë dhe Hollywoodin. Në këtë temë, atij i mbetet vetëm ta xhirojë një film me fund tragjik. Mund ta quajë “Të vajtosh Hollywoodin”.
Sepse, sa më herët që Serbia të lirohet nga mitet, është më e dobishme për të. Sa më shpejt që të lirohet nga barra Kosovë, që ia ka vënë vetes mbi shpinë, aq më mirë për të dhe të gjitha vendet e rajonit.

