Të shtunën në Gjilan, vlerësohet krijimtaria letrare e Anton Nikë Berishës
Gjilan – Të shtunën në Gjilan, në veprimtarinë e radhës të edicionit të gjashtë të manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, vlerësohet krijimtaria letrare dhe studimore e Anton Nikë Berishës, fitues i sivjem i Çmimit Letrar “Beqir Musliu”, me të cilin u nderua në qershor të këtij viti.
Për veprat letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës, pritet të flasin njohësit dhe studjuesit e letërsisë, Nehas Sopaj, Ibrahim Kadriu, Prend Buzhala, Nexhat Rexha e Sarë Gjergji.
Në sallën e vjetër të KK të Gjilanit, ku janë mbajtur veprimtaritë e deritashme të këtij edicioni pritet pjesëmarrje solide e krijuesve dhe artdashësve gjilanas si dhe nga qytete tjera të Anamoravës e më gjerë.
Anton Nikë Berisha, autor i 75 veprave origjinale dhe i 40 veprave tjera të cilat i përgatiti dhe përzgjodhi për botim, vjen enkas për këtë Manifestim nga Universiteti i Kalabrisë, ku punon e krijon prej 20 vitesh, me ftesë të Ars Clubit “Beqir Musliu” ./rajonipress/


