Të rrezikuar nga gripi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rekomandon që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.
Referuar klimës aktuale që po mbretëron në Kosovë, sipas tyre, mund të pritet në ditët në vijim shfaqje e rasteve të gripit të formës së lehtë me raste sporadike të rënda te personat me sëmundje kronike, andaj edhe ata duhet të kenë kujdes më të shtuar. Ja edhe njoftimi i Institutit i dërguar nga Ministria e Shëndetësisë.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se , Instituti Kombëtar përcjell me vëmendje ecurinë e shfaqjes eventuale të gripit në Kosovë përmes gjashtë instituteve rajonale në sezonin e dimrit, me vëmendje të posaçme në gripin A H1N1, bazuar ne Planin e Veprimit. Kështu sistemi ynë i mbikëqyrjes intensive ka grumbulluar dhe analizuar të gjitha rastet e dyshimit në influencë në të gjitha komunat e Kosovës. Për periudhën tetor – nëntor 2014 janë raportuar 7,204 raste me diagnozën ILI.
Numri më i lartë i rasteve të raportuara janë nga komuna e Prishtinës (1,283) dhe ajo e Prizrenit (862), prej të cilëve në Qendrën Kombëtare të gripit janë diagnostikuar 3 raste pozitive në A (H1N1)v, prej të cilëve 1 rast fatal është raportuar nga SHSKUK (Mjekimin Intensiv Qendror), si pasojë e problemeve të traktit respirator (infiltrate pulmonar bilateral). Duke qenë se rasti fatal është nga komuna e Ferizajt, autoritetet qeveritare dhe shëndetësore kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e sëmundjes.
Të gjitha rastet e raportuar nuk janë AH1N1, por shumica janë ftohje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, rrufa dhe rinite që nuk e kanë tabllon klinike tipike të gripit.
Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109, andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Në nivel ndërkombëtar grip me intensitet të shtuar është regjistruar në të gjitha shtetet e BE-së.
Masat e Institutit Kombëtar
Instituti Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë kanë lansuar Planin e Aksionit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së gripit në Kosovë. Meqë nuk është e mundur të parashikohet se a do të shpërthejë apo kur mund të shpërthejë pandemia e gripit, intervenimet e hershme do të ndihmonin në parandalimin e pasojave katastrofale ose së paku të shtyjnë përhapjen e virusit dhe shfaqjen e pandemisë në përmasa globale.
Kështu nga Ministria e Shëndetësisë sivjet janë siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit sezonal dhe janë shpërndarë në të gjitha institucionet e mjekësisë familjare.
Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale institucioneve dhe përmes mediave që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.
Me gjendjen aktuale klimatike që po mbretëron në Kosovë, mund të pritet në ditët në vijim shfaqje e rasteve të gripit të formës së lehtë me raste sporadike të rënda te personat me sëmundje kronike andaj edhe ata duhet të kenë kujdes më të shtuar.
Në Klinikën infektive deri sot janë trajtuar 4 raste dhe aktualisht një pacient është mbajtur si i dyshimtë, i cili është në gjendje të mirë klinike.
Nga të dhënat e deritanishme dhe lëvizjet e pacientëve nëpër ordinanca private, dyshohet për sëmundje tjera kronike ku virusi i gripit vetëm ka keqësuar gjendjen shëndetësore.
Për çdo ndryshim të situatës epidemiologjikë në Republikën e Kosovës Instituti Kombëtar hulumton, raporton, diagnostikon dhe merr masa në kohë reale duke njoftuar me kohë opinionin për masat mbrojtëse.