Mobi Casa

Të rinjtë e diasporës investojnë në Kosovë

/ 4 minuta lexim

Flamur Shala mund të kishte bërë karrierë të suksesshme në Zvicër, por në vend të kësaj ai zgjodhi të bëjë biznes, duke kontribuar në zhvillimin e Kosovës

Kosova ofron potencial për çdo lloj investimi të huaj. Mirëpo, me gjithë thirrjet e auoriteteve, raportohet për rënie të investimeve të huaja në vend.

Por, jo të gjithë i frikësohen tregut të brishtë kosovar për të bërë biznes.

Flamur Shala është njëri prej investitorëve të rinj nga diaspora që nuk ka ngurruar për të investuar në Kosovë.

„Shumë njerëz flasin për korrupsion e gjëra të tilla. Por, ne nuk e kemi pasur këtë problem. Nuk jemi firmë që transportojmë mallra. Ne punojmë me klientë në Gjermani. Të gjitha transaksioniet bëhen nëpërmjet bankave, të gjitha funksionojnë nëpërmjet internetit. Të regjistrosh një firmë të merr pak kohë duke shëtitur nëpër zyrë. Kjo deri diku është edhe në Zvicër“, tha për albinfo.ch 27-vjeçari me origjinë nga Peja.

Madje zvicerano-shqiptari nga diaspora mund të kishte bërë një karrierë të suksesshme në Zvicër, por në vend të kësaj ai zgjodhi që të mos bëjë vetëm biznes, por edhe t‘u kthehet rrënjëve nga kishte ardhur.

„Babi gjithmonë na ka edukuar që të mos humbim lidhjet me Kosovën, duke mësuar gjuhën dhe normalisht që rritet dashuria për atdheun. Në fillim nuk kisha plane për të bërë biznes në Kosovë, po për të bërë punë praktike, edhe atë 1 muaj në Bankën Qendrore të Kosovës. Atje kam mësuar se ka shumë njerëz që flasin gjuhën gjermane. Aty më lindi ideja për të bërë biznes“, tha biznesmeni i ri nga diaspora.

Flamur Shala, djali i një “gastarbeiteri” nga St.Galleni, tashmë 18 muaj menaxhon një „call center“ që quhet “Baruti“ në Prishtinë.

Kishte filluar biznesin me dy partnerët në një banesë 3 dhomëshe, ndërsa tani ekipi i tij numëron 47 punëtorë në një ndërtesë dykatëshe në Prishtinë.

Mobi Casa

Flamuri ka siguruar vende pune për kosovarët që jetuan në Gjermani, Zvicër apo Austri dhe të cilët flasin rrjedhshëm gjermanisht.

„Janë të rinj që kanë jetuar për disa vjet në Gjermani, Zvicër e Austri. Ata flasin rrjedhshëm gjermanisht saqë nuk vërehet akcenti i tyre“, tha Flamuri.
Paga e tyre mujore sillet nga 350 deri 650 euro.

Flamuri me ekipin e tij më shumë i shërben tregun gjerman.

„Baruti“ është „call center“ që ofron shërbime „outsourcing“ për institute të ndryshme kërkimore të tregut në Gjermani, por edhe në Zvicër e Austri.
Janë më se 30 firma që bëjnë biznesin e njëjtë në Kosovë, po ka edhe të tillë që e keqpërdorin.

Ekipi i Flamurit që e përbëjnë kryesisht të rinj të diasporës po punon në zgjerimin e shërbimeve të tyre në fushat e biznesit në „outsourcing“.
„Është e vërtetë se shumica firmave e kanë keqpërdorur biznesin „outsourcing“ duke bërë dallavera për të mashtruar klientët. Ne kemi të regjistruar firmën edhe në Zvicër që për çdo gabim mund të ballafaqohet me ligjin“, tha bisnesmeni Shala.

Flamuri përballet me sfida të shumta në Kosovë, por ai ka dëshirë më mirë të ketë një biznes në Kosovë sesa të fillojë karrierën e një menaxheri në Zvicër.

Flamuri ka lindur në Pejë, ndërsa ka migruar vetëm 10 muajsh nga Kosova për në Zvicër. Ai kishte migruar në vitin 1986 bashkë me familjen. Është rritur në kantonin e Lucernit, ku edhe ka përfunduar gjimnazin. Studimet i ka të përfunduara në Gjenevë për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tashmë po vijon studimet e magjistraturës për ekonomi në Universitetin e St.Gallenit, ndërsa planifikon pas studimeve në vitin 2014 të kthehet përfundimisht në Kosovë.
Sevdail Tahiri/albinfo/