Eko Higjiena

Të rinj shqiptarë, të pasionuar pas motoçiklizmit

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Ditë më parë, në njërën nga të dielat më të ftohta e me shi të gushtit, dy klubet shqiptare të motoçiklizimit po bëheshin gati për aventurën e radhës jashtë vendit, ende pa u ftohur mirë motorët e sapo kthyer nga pushimet verore të kaluara në Kosovë.

Në afërsi të Stuttgartit ishte organizuar takimi që priste një numër të madh të motoçiklistëve, me të ftuar special „Plisat“ dhe „Shqiponjat“ nga Zvicra. Për këtë eveniment ku motoristët shqiptarë ishin protagonistë të ditës me dyer të hapura, për vizitorë në motograzhin Limbächer Bikers World, ishte kujdesur shqiptari Bujar Bucolli. I cili si shef i mirëmbajtjes mekanike të motorëve në këtë garazh, që ka në posedim mbi 1500 lloje të ndryshme të motorëve, ishte kapluar nga emocionet e ardhjes së motoristëve shqiptarë nga Zvicra, në garazhin më të madh të motorëve në Europë. Gjilanasi i pasionuar pas motorëve, arritjen e dy klubeve shqiptare e priste me padurim jashtë në shi me gjithë gruan dhe djalin, për të kapur fotografitë e para të hyrjes së tyre në oborrin e këtij garazhi.

Ata pak motoristë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, ardhjen e Plisave dhe Shqiponjave në mënyrë të organizuar e shihnin me lakmi

Në hollin e arealit, Shqiponjat dhe Plisat po kalonin çastet e para dëfryese pa brengën se me ato rroba pjesërisht të lagura, duhej të ktheheshin prapë po gjatë kësaj dite në Zvicër. Ndërkohë që Bujari mundohej ti orientonte mysafirët, gruaja e tij bjonde, siguronte fotografi gjithandej ku silleshin Plisat dhe Shqiponjat.

Bujar Bucolli në drekën që e kishte shtruar për motoristët shqiptarë, bashkëbisedonte i ngazëlluar nga numri i madh i motoristëve të ardhur nga Zvicra. „Nuk e kam besuar që do të vinin kaq shumë në këtë kohë të ftohtë e me shi“, thotë Bujari, që është përgjegjës për tërë mbarëvajtjen e punës në „Limbächer Bikers World“ në Filderstadt. Prej tij mësojmë që ky garazh shet deri në 50 motorë çdo ditë, dhe po kaq sjell të rinj.

Për ata pak motoristë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, ardhja e Plisave dhe Shqiponjave në mënyrë të organizuar shihej me lakmi. Motoristë shqiptarë këtu në Gjermani ka pak, aryestohet njëri aty para të ardhurve nga Zvicra. „Këtu, në Gjermaninë e madhe“, thotë ai, „nuk i mbledhë dot bashkë as dhjetë motoristë shqiptarë“.

Jemi të shpërndarë dhe nuk arrijmë dot të organizohemi as për së afërmi sikur motoristët shqiptarë nga Zvicra, shpjegon ai i zënë një çik ngushtë nga numri fare i vogël motoristëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani që në këtë ditë me shi, megjithatë e kishin parë si më të lehtë të vinin në këtë takim me vetura. Gjë që nuk kishte ndodhur me motoristët e ardhur nga Zvicra.

Parashikimet e dy klubeve shqiptare për t’ju përgjigjur ftesës së këtij takimi me të gjithë anëtarët ishin përgjysmuar në numër për shkakun se një pjesë e anëtarëve dukej se ishin trembur nga shiu i furishëm i fundjavës. Megjithatë, rreth 50 motoristë nga Zvicra, kryesisht veteranë të klubeve dukej se ishin mësuar e u jepte kënaqësi ngasja e motorit nëpër shi.

Hidromorava

Shqiptari, instruktor i autoshkollës për motoçiklistë

Madje në mesin e tyre takuam një motorist që ngasjen e motorit e ka punë për të fituar bukën e gojës. Ai quhet Naim Rafuna. „Të jesh instruktor autoshkolle nuk është punë e lehtë“, thotë Naimi. „Ke përgjegjësi të madhe kur je në komunikacion me nxënës që mësojnë ngasjen e motorit“. Ai, ndonëse i ri në moshë, drejton me sukses Autoshkollën Rafuna në St. Gallen, ku krahas leksioneve për makina, në kohën më të madhe është rrugës me motoçikletë duke aftësuar e përgatitur të tjerët për marrjen e patentë shoferit.

Ky gjilanas i ri ndërkohë është edhe anëtar i klubit „Plisat“, më të cilin planifikon të organizojë takime ku motoristët do të merrnin mësime shtesë mbi kontrollin e motorit gjatë situatave kritike të ngasjes. Fundja, shprehet ai, motori nuk është më pak i sigurt se makinat nëse i përmbahesh rregullave në komunikacion. Nëse e nget me kujdes dhe me paisjet e nevojshme për të.

Sido që të jetë, motoristët shqiptarë po shtohen masivisht. „Kam vazhdimisht klientë të rinj shqiptarë që marrin mësimet për patentë shofer“, tregon ai.

Ky trend i shtimit të numrit të motoristëve shqiptarë po vërehet kudo. Kohëve të fundit rritja e numrit të motoristëve është vërejtur edhe në Kosovë. Në takimet që organizon kubi „Shqiponjat“ gjatë pushimeve verore, mblidhen me dhjetëra motoristë për të defiluar rrugëve të Kosovës. Po kështu ka qenë edhe këtë verë, kur mbi njëqind motoristë u mblodhën në afërsi të Kamenicës, për të vazhduar me përcjellje të ekipit të motorsitëve të policisë së Kosovës në Gjilan dhe në Prishtinë pranë „Newborn“-it. Në mesin e këtyre motoristëve kishte nga të gjitha llojet e motorëve ngapak. Rreth shtatë klube që ishin bashkuar për një shëti të përbashkët nuk dallonin shumë. Të zhurmshëm e në eufori dukeshin gjithsesi të gjithë njejtë.

Përshtypjet e një pjese të motoristëve nga Zvicra që kanë kaluar pushimet në Kosovë duke shëtitur Kosovën me motorë, nuk janë aq të mira. Rrugët e Kosovës, sipas tyre, janë shumë të rrezikshme për motoristë. Agron Spahiu, një veteran i klubit „Shqiponja“, pushimet në Kosovë i kalon duke dalë herë pas here për sheti me motorë. Atje motoristi duhet të heqë dorë nga e drejta në komunikacion në cilindo rast që të jetë. Përvëç kësaj, motorët rrëshqasin shumë, tregon ai. „Frenat nuk bëjnë punë mbi asfaltin përvlues e të mbuluar me shtresa vaji e pluhuri. Mungon infrastruktura për ngasje normale të motorit. Kërkohet shumë kujdes nga të gjitha anët“, thotë ai. Andaj edhe organizimet shkel e shko pa ndonjë qëllim, siç shprehet ai, nuk po kanë më kuptim. Sidomos kur një pjesë e motoristëve i ngasin ata pa kontroll e në gjendje të keqe mekanike.

Sidoqoftë, nikoqiri i këtij takimi, Bujar Bucolli, bashkë më të vëllanë mekanik në të njejtin garazh, është optimist se edhe tek ne motoristët do të vetëdijësohen për sigurinë në komunikacion. Ata për këtë kanë investuar në Kosovë dhe nga ky investim presin që të krijojnë biznesin e tyre në vendlindje. Për këtë Bujari që është tifoz i Ducatit, ka hapur një garazh në Gjilan me të gjitha aparaturat moderne për servisim dhe kontroll të motorëve, ku krahas saj punon edhe magazina e pjesëve me dyqanin që shet veshmbathje dhe paisje tjera për ngasësit e motorëve./Bekim Dalipi/albinfo/