Të pasurit bëhen edhe më të pasur në Zvicër

Pasuria e elitës të të pasurve zviceranë është shtuar këtë vit për 31 miliardë franga

Në Zvicrën e vogël jetojnë dy për qind të milionerëve të gjithë botës. Madje, pasuria e 300 prej tyre është shtuar këtë vit për 31 miliardë. Ky është bilanci i fundit në ranglistën e super të pasurve.

Për të tretin vit me radhë të pasurit po bëhen edhe më të pasur. Pasuria e tyre është shtuar sërish këtë vit për 6.5 për qind, ose gjithsej 31.1 miliardë franga, shkruan magazina “Bilanz”.

Tregjet e aksioneve u kanë sjellë më shumë para të pasurve zviceranë. Tregu i aksioneve mbetet ende vendi më i rëndësishëm për të investuar të pasurit paratë e tyre.

300 të pasurit në Zvicër kanë një pasuri të përbashkët prej 512 miliardë. Në fakt, është bilanci i dytë më i lartë i të pasurve gjatë 24 vjetëve të fundit. Vetëm më 2007 të pasurit zviceranë kishin më shumë para në kontot e tyre.

Elita helvetice e të pasurve nuk është e vetme me këtë trend.

Derisa Evropa Jugore po zhytet në periudhën e depresionit ekonomik, pasuria e gjermanëve dhe e britanikëve është shtuar 4 deri 5 për qind.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS