UBT

Të pagjeturit, Hoti i bën thirrje Serbisë të hapë arkivat dhe të lejojë gërmimet në lokacionet e shënjuara

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Qeveria e Republikës së Kosovës, bashkohet me botën demokratike dhe me thirrjet e familjarëve nga tërë Kosova për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur, u tha në hapje të tryezë së organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh).

Në Ditën Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, në tryezën e bashkë organizuar me Këshillin Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZhK) u bashkëbisedua mbi gjendjen aktuale të proceseve të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të gjithë të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe hapave në vijim.

U ritheksua përkushtimi dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vërtetën, për të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë. U theksua se kjo çështje vazhdon të jetë prioritet i veçantë, duke pasur në fokus familjarët e personave të zhdukur.

Nga kjo tryezë, KQPZh dhe KKAFZhK i bënë thirrje Serbisë për hapje të arkivave, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, si dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, theksoi mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Fundamenti

Kryesuesi i KQPZh-së rikujtoi se me adoptimin e Deklaratës pёr personat e zhdukur më 2 maj 2023, pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur.

Ai përmendi edhe letrën e dërguar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës.

“Ndonëse janë bërë gati katër muaj nga adoptimi i Deklaratës dhe tre muaj nga letra e dërguar z.Vuçiq, ende nuk ka përgjigje nga Serbia”, tha ai.

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, në përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, paradite u bënë homazhe dhe u vendosën lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/