Të ndryshohet Ligji për Vetëqeverisjen Lokale 03/L – 040 / 2008
Nga Raif Ramabaja – Është evidente se komunat e Kosovës kanë pasur më shumë se nevojë që të kenë një Ligj për vetëqeverisjen lokale me të cilin do të rregulloheshin të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me funksionimin normal dhe efikas të komunës e në shërbim të qytetarëve.
Kjo dëshirë ju është “plotësuar” me miratimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale nr. 03/L-040 të datës 20.02/2008. Që moti është e njohur se komunat janë njësi themelore e vetëqeverisjes lokale, që kanë banoret e vet e që jetojnë ne një territor të caktuar. Shpesh here si në shaka në zhargonin e përditshëm thuhet se ato (komunat ) janë edhe si “shtete“ në minijaturë.
Por, në të vërtetë a është kështu, a i përgjigjet realiteti në teren, se në të vërtet komunat vetëqeverisën nga qytetarët dhe organet komunale ?
Komunat të zgjedhin Bordin e Drejtorëve
A kanë tani komunat qeveri komunale dhe kush e përbën atë? Në qoftë se shikojmë analogjikisht me nivelin qendror edhe komunat patjetër duhet të kenë qeveri të tyre.
Në Ligjin e lartpërmendur, neni 10 decidivisht shkruan se organet e komunës janë : Kuvendi i Komunës dhe Kryetari. As kund nuk figuron se komunat kanë edhe Qeveri Komunale apo Këshill të Drejtorëve ( Bordi i Drejtorëve ).
Ky Ligj në të vërtet ka privuar komunat që të kenë qeveritë e tyre funksionale
Qeveria komunale është fshirë nga toka e dheut. Komunat demek nuk paskan nevojë të kenë qeveri. Por, këtë punë po duhet ta kryej një njeri i quajtur kryetar komune.
Çfarë absurdi. ky ! Drejtoret sipas këtij Ligji na qenkan vetëm këshilltar të kryetarit të komunës. Kuvendi komunal duhet të aprovojë krejt çka propozon kryetari i komunës, ndërsa këto vendime duhet t’i zbatojë prapë vet kryetari i komunës.
Nga kjo na del se kryetari i komunës vet pretë dhe vetë qepë.
A nuk janë përzier këtu kompetencat e legjislativit me ato të ekzekutivit ? Sigurisht se po.
Mirëpo, a duhet të jetë kështu, mendojë se jo. Me këtë Ligj është prodhuar një kryetar komune i cili askujt nuk i jepë përgjegjësi, vendos gjithçka në mënyrë autoritare pa e pyetur as kënd, ndërsa, këshilltaret komunal janë vetëm për t’i a mundësuar që sa më lehtë t`i kryejë “objektivat” e tija partiake dhe personale. Kush qanë kokën për qytetarin e mjerë? askush.
Kryetari i komunës duhet të vendos se cili punëtor ndihmës – pastrues duhet të punësohet, apo cili mësues, cili arsimtar, cili profesor duhet pranuar, kush mundet me qenë drejtor shkolle, ofiqar etj.? Kuptohet, pranohen vetëm ata që janë militant të partisë së tij apo familjarë edhe pse shpesh nuk i plotësojnë as kushtet minimale.
Shumë pak kohë i mbetet kryetarit të komunës për menaxhim të mirë të buxhetit komunal, të mendojë për krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik apo për investime kapitale, për sjelljen e investitorëve të rinjë, të përmirësojë gjendjen në arsim apo shëndetësi, për të ndihmuar ndonjë skamnor etj.
Kjo tregon se shumë pushtet ekzekutiv është koncentruar në duart e në njeriu të quajtur kryetar komune pa as pak përgjegjësi, se janë tepër të “ngarkuar” dhe se në shumicën e rasteve janë duke e keqpërdorur këtë pushtet për interesa partiake dhe personale, e në dëm të taksapaguesve Kosovarë.
Këta kryetarë, mjerisht askujt nuk i japin llogari për punën e tyre dhe abuzimet eventuale që mund t`i kenë bërë me paranë publike. Shpesh (disa prej tyre, sepse ka edhe përjashtime ) sillen sikur komuna të ishte prone private e tyre, e ata “mbretër” të vegjël.
Por, dorën në zemër fajin për këtë e ka edhe Ligji i lartpërmendur i cili në ambientin kosovarë është vështirë të japë rezultatet e pritura, ka treguar të gjitha të metat e veta, kur na mungon edhe përgjegjësia ligjore dhe ajo morale e cila duhet të jetë më e madhe se ajo ligjore.
Në nivel Qendror kemi sistem – qeverisje parlamentare , ndërsa në nivel lokal kemi sistem presidencial, i cili në nivel komunal i ka treguar të gjitha dobësitë e veta. Çfarë absurdi ky.
Këtë mënyrë të qeverisjes lokale e kanë provuar edhe disa shtete në rajon, por, nuk kanë pritur të kalojnë plotë tetë vite e ta ndryshojnë Ligjin, por këtë e kanë bërë menjëherë pas mandatit të parë, sepse i kanë vërejtur të gjitha dobësitë dhe dëmet që ja kanë sjellur qytetarëve.
Në qoftë se kryetari i komunës ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë nënkryetarin dhe drejtoret sa here që të kenë qejf, atëherë shtrohet pyetja se sa ata janë në gjendje ta kryejnë punën si duhet në pajtim me ligjin. E kur kësaj i shtohet edhe fakti se këta drejtorë shpesh here janë joprofesional, jokompetent dhe me performance të dobët, atëherë edhe pritjet janë të vogla. Kryetari i Komunës duhet t’a propozojë mandatarin për Qeverinë Komunale, ndërsa, ky i dyti t’i propozojë anëtaret tjerë të Bordit të Drejtorëve.
E kur kryetari i komunës largon nga puna ndonjë zyrtar në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme e pa arsye dhe pas dy viteve Gjykata e kthen zyrtarin në punë dhe e obligon Komunën që t’ia paguaj të gjitha shpenzimet dhe pagën për atë kohë dhe ai nuk japë kurrfarë llogarie, atëherë për çfarë përgjegjësie mund të flasim.
Andaj ka shumë e shumë argumente e arsye të cilat e arsyetojnë se sa më shpejtë duhet të fillohet dhe të ndryshohet – amandamentohet Ligji për Vetëqeverisjen Lokale nr. 03/L-040.
Nga pozita autoritare e Kryetarit të Komunës në pozitën e shërbyesit për qytetarë
Pozita e kryetarit të Komunës duhet të çlirohet nga autorizimet e shumta që i ka, të kthehet e të funksionojë Bordi i Drejtorëve – Qeveria Komunale si organ Ekzekutiv i Kuvendit Komunal, ndërsa Kryetari i Komunës të jetë faktor uniteti e jo faktor destabilizues, abuzues dhe përçarës në komunë siç është tani në shumicën e rasteve.
Do të ishte mirë që kryetari i komunës për punën e vet për çdo vit të japë llogari para kuvendit Komunal dhe të lihet mundësia ligjore e shkarkimit me 2/3 e votave të këshilltarëve komunal, sepse 4 vite janë pak për zhvillime pozitive e tepër shumë për zhvillime negative.
Disa komuna të vogla bile nuk kanë nevojë fare për pozitën – nënkryetar komune. Kur shumë shtete në Europë mund të funksionojnë shumë me sukses pa nënkryetar, pse nuk mundët një komunë e vogël në Kosovë ? Të udhëhiqemi njëherë me logjiken e racionalitetit dhe funksionalitetit. Komunat janë e të gjithë qytetarëve, e jo siç po mendohet dhe veprohet tani pronë e kryetarëve të komunave.
Për këtë kemi edhe aq shumë probleme në funksionimin normal të komunave, aq shumë gabime, abuzime dhe reagime të qytetarëve. Por, nuk më është e njohur që dikush deri me tani ka propozuar ndryshimin e këtij Ligji. Ne po shpenzojmë shumë kohë duke u marrë me vetë vetën- me pasoja, e nuk po merremi me eliminimin e shkaqeve të këtyre pasojave.
Me këtë çështje të funksionimit sa më të mire të komunave duhet të merren edhe njerëzit nga institucionet përkatëse qendrore, të cilët siç po dukët janë mbyllur në zyret e tyre dhe nuk shohin se çka po ndodhë në terren.
Po ashtu, mendojë se konformë numrit të banorëve duhet të përcaktohet me Ligj edhe numri i zyrtarëve të administratës dhe Drejtorateve, (pasi që ndryshe nuk mundet të ndalet kjo dukuri negative) e jo pa kurrfarë kriteri vetëm për t’ia plotësuar dëshirën dikujt, hapen nevojë e pa nevojë “vende pune“ e Drejtorate dyfish më tepër se që në realitet duhen. Krejt kjo shkon në dëm të qytetareve të komunës dhe buxhetit komunal. Drejtoritë patjetër një here në vit duhet të paraqesin raportin e punës së tyre njëvjeçare para këshilltarëve komunal. Kuvendët Komunale duhet në fillim të vitit të paraqesin dhe aprovojnë programin e tyre të punës. Na nevojiten reforma rrënjësore në administrata komunale dhe po ashtu edhe reforma në mentalitetin tonë.
Më shumë kompetenca dhe autonomi për komunat
Me nenin 17 të Ligjit janë paraparë shumë kompetenca (20 ) përshkruese për komunat. Këto kompetenca më tepër paraqesin përgjegjësi për komunat. Konsiderojmë se ende shumë kompetenca që realisht i takojnë komunave, janë të uzurpuara nga Organet Qendrore të cilat paraqiten si pengesë burokratike në punën sa më efikase të komunave.
Bile, këto “kompetenca“ të nivelit qendror janë edhe një nga burimet e korrupsionit dhe abuzimin dhe i pasurimit të dikujt me paranë publike.
Është nevojë imanente për decentralizim edhe të shumë funksioneve në të gjitha sektoret dhe bartjen e tyre në nivele lokale, ndërsa Organet Qendrore vetëm të monitorojnë – kontrollojnë punën e organeve komunale, e jo të pengojnë atë. Disa hapa pozitiv në këtë drejtim janë bërë, por kjo nuk mjafton. Madje ka nevojë që edhe brenda komunave të bëhet “decentralizimi“ i funksioneve dhe ato të bartën nëpër sektorë të ndryshëm.
Janë këto vetëm disa nga argumentet e shumta, që na tregojnë se ky Ligj duhet ndryshuar sa më shpejt që është e mundur sepse nuk është mirë të hyjmë me këtë Ligj eksperimental në zgjedhjet e ardhshme lokale./rajonipress/


