Të mishëruar me Reqakun

Gjilan – Humanistja nga Gjilani Mevlude Demiri ka disa vite që ndihmon rregullisht familjet e Reqakut që ishin të masakruara nga policia serbe.
Mevludja e cila përkrahet edhe nga bashkëshorti Sabit Demiri dhe të afërmit e saj, miq e familjar tani është duke organizuar një kontingjent të ndihmave për të dërguar në prag të festës së Bajramit, raporton rajonipress.
Mevludja dhe Sabiti që funksionojnë përmes OJQ “Fanesa”thanë për rajonipress se kjo është hera e 14-të që dërgojnë ndihma në Reqak.
Demiri tha për rajonipress se i kanë grumbulluar mbi 1000 kg artikuj të ndryshëm ushqimor, dhe veshmbathje të cilat mbi 80% e tyre janë të reja. Të gjitha këto ndihma ata i kanë mbledhur nga donatorët gjilanas.
Mevludja thotë se qytetarët gjilanas gjithmonë janë treguar solidar dhe kjo do të ndodhë edhe kësaj radhe.”Ne po e presim kamionin e FSK-së kur të jetë gati dhe do të shkojmë bashkë tek familjet të cilat i ndihmojmë rregullisht” tha ajo.
Mevludja tha se këto ndihma ajo i merr edhe nga shitësit e tregut në Gjilan të cilët e përkrahin atë në aksionin e saj shumë human dhe fisnor.
Mevludja tha se këtë aksion e bënë vullnetarisht sepse më herët e ka pasur bashkëshortin e sëmurë dhe e kanë ndihmuar shumë njerëz. “Kur unë isha në hall shumë njerëz më kanë përkrahur, edhe unë tani dua t`i ndihmojë ato familje që u mungojnë më të dashurit e tyre” tha ajo. /rajonipress/