RCCOLA

Të mësohet mirë gjuha shqipe

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri Berisha ka kërkuar nga pedagogët që t’i jepet rëndësia gjuhës shqipe e “cila është shtylla e identitetit kombëtar”.

Arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore dhe problemi më themelore i shoqërisë shqiptare. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha në konferencën e parë Ndërkombëtare Arsimore të Shqipërisë. Ai tha se për zhvillimin e sektorit të arsimit qeveria e tij ka dyfishuar buxhetin.

“Çështja e arsimit, mbetet problemi më serioz për çdo qytetar çdo shoqëri të qytetëruar dhe çdo qeverie. Çdo qëndrim ndaj edukimit të brezave është qëndrim ndaj të ardhmes dhe asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen sesa qëndrimi ynë i sotëm ndaj shkollimit të të rinjve”, ka thënë Berisha raporton “Shekulli”.

Qeveria shqiptare, sipas Berishës, ka shpallur publikisht edukimin si përparësia e të gjitha përparësive dhe për të mbështetur këtë përparësi ka shtuar për 50 për qind buxhetin për arsim për vitin 2005-2012.

Fundamenti

Kryeministri shqiptar në këtë konferencë kërkoi që të rritet cilësia e mësimdhënies në arsimin universitar si dhe zhvillimin e gjuhëve të huaja të dyta në shkollat e vendit. Ai me theks të veçantë kërkoi nga Ministria e Arsimit që të adoptohen të gjitha procedurat për mësimin sa më shpejt të gjuhës kineze në shkollat shqiptare.

“Duhet të bëjmë gjithçka që gjuhët e dyta në shkollat tona të kenë të njëjtën peshë dhe të inkurajohen edhe më tej. Të merren masa për gjuhën kineze e cila po merr peshë më të madhe në shkencë dhe në teknologji në botë dhe në Evropë”, tha Berisha duke kërkuar edhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Ndërsa ka kërkuar që t’i jepet rëndësia e duhur gjuhës shqipe, sepse, sipas tij, gjuha për shqiptarët është shtylla e identitetit kombëtar.

“Në themel të kemi gjuhën shqipe dhe matematikën. Gjuhën tonë ta vëmë në piedestalin saj në gjithë sistemin arsimor, për shqiptarët gjuha është shtylla e identitetit kombëtar, pas gjeneve ata kanë gjuhën dhe më shumë se çdo komb tjetër duhet të përqendrohen në mësimin e saj”, tha kryeministri shqiptar.