Fundamenti

Të mësohemi ta vlerësojmë luftën, por edhe luftëtarët

/ 11 minuta lexim
Hidromorava

Nga Kudusi Lama – Të mësohemi pra, të vlerësojmë idetë, por edhe ideatorët; të vlerësojmë rrugën e ideologjisë kombëtare, por edhe ideologët; të mësohemi të vlerësojmë luftën, por edhe luftëtarët; të vlerësojmë fitoret, por edhe të pathyeshmit; të vlerësojmë burrat e gratë, pleqtë e plakat, djemtë e vajzat, si dhe fëmijët, sepse të gjithë kanë një histori kombëtare me vetë, që e sjellin nga e kaluara në të sotmen e të ardhmen.

Të respektuar të pranishëm,

Me ndjenjë nderimi për gjithë historinë e vlerave kombëtare, si një pasuri që shumë kombeve u mungon, më lejoni të përshëndes në këtë përvjetor, me një përulje të madhe përpara kolosëve të historisë tonë.

Rajoni i Dukagjinit dhe në veçanti Deçani njihet si vatër e rezistencës atdhetare e kombëtare shqiptare nëpër kohëra, duke i vënë në vijën e parë të frontit të luftës për liri burrat dhe gratë më të qëndrueshme, të cilët koha historike i ka bërë të shquar.

E kjo dukuri na vë detyrë ne që jetojmë kohën e sotme dhe atyre që do të jetojnë të ardhmen, që të mësojmë t’i çmojmë vlerat kombëtare, duke mësuar përfundimisht, se nuk mund të ekzistojnë vlerat, pa emrat e atyre që i bartën ato nëpër rrugën e historisë së kaluar, për të ardhur në të sotmen.

Të mësohemi pra, të vlerësojmë idetë, por edhe ideatorët; të vlerësojmë rrugën e ideologjisë kombëtare, por edhe ideologët; të mësohemi të vlerësojmë luftën, por edhe luftëtarët; të vlerësojmë fitoret, por edhe të pathyeshmit; të vlerësojmë burrat e gratë, pleqtë e plakat, djemtë e vajzat, si dhe fëmijët, sepse të gjithë kanë një histori kombëtare me vetë, që e sjellin nga e kaluara në të sotmen e të ardhmen.

Të vlerësosh sot Komitetet e Vendit të krijuar në vitin 1979 dhe të mos pranosh të vlerësosh ata persona që i ideuan, që i realizuan, që sakrifikuan, që u vunë para makinerisë gjakatare të pushtuesit, është mohim i historisë.

Të mos i vësh emrin që i takon veprimtarisë patriotike e çlirimtare të asaj kohe, është tjetërsim i historisë.

Le t’i referohemi Komitetit të Deçanit, i cili pasi u krijua, i shtriu krahët dhe rrënjët e tij në gjithë hapësirën e tokave të pushtuara nga Serbia e Jugosllavia e kohës. Duke u bërë kështu Shtabi i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore për çlirim kombëtar. Le të njihemi me këtë Komitet të vendit nëDeçan.

– Ismajl Haradinaj – “Ora”, i cili duke qenë ideator i kësaj krijese kombëtare për të gjitha trojet e pushtuara, do të merrte emërimin ORA, për të dhënë të kuptohet se është ky çasti kur të gjithë duhet të jemi të bashkuar, për të vepruar për kombin, sepse koha nuk pret.

– Abdullah Hasanmetaj – ”Shpati”, për të treguar se pa sakrifica nuk ka ngritje dhe ngjitje në rrugën e sakrificave për të fituar lirinë.

– Hasan Ukhaxhaj –”Drini”, që kërkon tallazet e furishme të lumit më të madh shqiptar, për të identifikuar atë që kërkon koha prej shqiptarëve.

– Jashar Salihu – ”Shigjeta”, identifikimi i saktësisë dhe përgjegjësisë për plotësimin e detyrave në interes të kombit.

– Shkurte (Drita) Kuçi –”Guri”, që e identifikon gruan e vajzën shqiptare me forcën e gurit për të përballuar gjithë trysnitë e kohëve të vështira.

Ashtu si ata në kohën e tyre, duhet të mendojmë e veprojmë edhe ne sot.

Është e vërtetë që njerëzisht do të duhej të mendonim si Gabriel Garsi Markez, i cili kishte mendimin që njeriu duhet ta shkruaj urrejtjen në akull, dhe të presë të dalë dielli. Por ajo kohë është larg, pasi realisht jemi të rrethuar me urrejtje, prej nga vjen vetëm pasiguri. Prandaj duhet t’u japim rëndësi parësore elementëve të vlerave historike kombëtare për domethënien e tyre.

Sot në këtë përvjetor unë ndihem shumë krenar, që shumë nga personazhet e veprimtarive kombëtare i kam njohur dhe kam shkëmbyer me ta mendime dhe ide, duke marrë prej tyre forcën, guximin dhe bindjen se ka të ardhme, por gjithnjë vetëm nëpërmjet guximit dhe qëndresës, duke mos harruar rrugën nga kemi ardhur e duke pasur vizion të qartë për synimet ku do të arrijmë.

Kam pasur fatin të njoh Ismajl Haradinajn dhe gjithë familjen e tij me bashkëshorten, Naimin, Nasimin, Agronin e fëmijët e tyre. Kam pasur fatin të njoh Jashar Salihun me gjithë familjen e tij, të njoh Xhavit Hoxhën, Din Ahmetin, Hasan Ukhaxhajn e mjaft të tjerë, prej të cilëve kam marrë gjithnjë vetëm bindje se kombi i shqiptarëve prodhon vazhdimisht fuqi për të përtërirë forcat, për të goditur fortë çdo armik që e ka cenuar. Kjo është edhe arsyeja që kombi ynëka mbijetuar, kur shumë kombe më të mëdhenj e më të fuqishëm nën goditje edhe më të vogla se goditjet që kam marrë kombi shqiptar, janë shuar.

RCCOLA

Jam i sigurt se falë atyre burrave si Ismajl Haradinaj e bashkëluftëtarët e bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtaret e bashkëveprimtaret e tij, ne sot kemi arritur të jemi në lartësitë më të mëdha të mundshme të kombit shqiptar për kohën. Por ne shihet se jemi në luftë. Ka akoma nga ata që na konsiderojnë të vegjël e që ndoshta shpresojnë për prapakthim kombëtar shqiptar.

Prandaj unë, duke qenë këtu para jush, sot, u them atyre:

E para. në qofshin shqiptarë, u them; mjaft mëme lojëra, mendoni se nuk shkon më tej rruga juaj e tradhtisë, mendoni se nuk bën t’u lini trashëgim pasardhësve turpin; sepse vetëm ju nuk e shihni vetveten, por të tjerët të gjithë u njohin, u shohin dhe janë vigjilent për t’u mbrojtur nga ju. Ne nuk ju pengojmë të vazhdoni t’i shërbeni ish pushtuesit, por dilni hapur, bëhuni njëherë të guximshëm, qoftë edhe duke luftuar kundër atdheut e kombit tuaj.

E dyta. atyre që janë europianë, u them; ka ikur koha e skllavërisë dhe e kolonizimeve, ani pse ju i keni me shumë dëshirë. Njëkohësisht u them të heqin dorë nga mesjetarizmi sepse jeni bërë qesharakë, nuk bën të vazhdoni të luftoni me krijim kryqëzatash me flamurin e Krishtit. Ka ikur koha kur luftohej me flamujt e profetëve. Jemi në kohë civilizimesh moderne.

E treta. atyre që janë përtej europianëve, u them; nuk ka ardhur koha të bëheni perandori. Ashtu sikurse duhet të jeni të qartë, se me metoda të vjetruara nuk mund të bëheni kurrë perandori. Sepse po shoh se veprohet, sipas metodave të Aleksandrit të Madh, Pjetrit të Madh, Napoleon Bonapartit, Hitlerit etj.Jo, kurrë nuk mund të sundoni botën me këto metoda, programe e rrugë. Bota sot është bërë e zgjuar dhe e ndërgjegjshme, atë e udhëheq vetëm dija, besnikëria, transparenca dhe mirësia.

E katërta. Serbëve dhe jugosllavëve e sllavëve u them, uluni në vatrën tuaj. Mos mendoni se të tjerët kanëfrikë nga ju. Dhe është mirë të ktheni kokën nga historia juaj. Në vitin 1844 ishit një provincë më e vogël se Kosova sot. U zgjëruat duke grabitur toka të të tjerëve. A vërtetë mendoni se ua kanë falur tokat e tyre rumunët, hungarezët, bullgarët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët? U them unë: Jo. Prandaj bëni mirë të bëheni përfundimisht të urtë e të respektueshëm ndaj kombeve të tjera për interesat tuaja, jo për ata, sepse ata janë gati të gjithë t’u shqyejnë, për të marrë pjesën e tyre të ligjshme.

Kështu që, në këto kohë moderne, kur figurat e ndritshme të kombit si Ismajl Haradinaj me bashkëluftëtarët e tij arritën të sfidojnë Jugosllavinë,kur kjo vazhdimësi qëndrese që kishte lindur me pushtimin e këtyre trojeve, u përcoll nga një figurë madhore në një tjetër, nga një brez në një tjetër, duke mbërritur deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj titanike, ne kemi mundësi të tregojmë se jemi të zgjuar, të kulturuar, të qëndrueshëm, të guximshëm dhe luftarakë për ta bërë kombin ashtu si i takon e si e meriton.

Duke vlerësuar veprën e Ismajl Haradinajt, bashkëveprimtarëve dhe familjarëve e pasardhësve të tij, vlerësoj se pikërisht aty e ka gurthemelin edhe Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe ushtria që e barti atë.

E sot kur po bëhen të gjitha përpjekjet që të bëjmë sa më të vogël Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ta bëjmë veç me 10 mijë luftëtarë, se nuk na duhet më e madhe, se nuk mund e pensionojmë, Ismajl Haradinaj me veprën e tij e të pasuesve të tij na fton për vigjilencë. Na fton të mos rrëzojmë vlera. Na fton të mos i vihemi përballë historisë se ajo na ndëshkon.

Pikërisht pse po thuhet se nuk kemi pasur 60 mijë luftëtarë, por veç 10 mijë; pikërisht pse thuhet se do të ishte më mirë të kishim paguar disa qindra mercenarë se na kishin shpëtuar nga Serbia dhe nuk i kishim thënë askujt faleminderit; pikërisht pse po i shohim veteranët e luftës duke protestuar për një kore buke përpara qeverisë së tyre, për krijimin e të cilës kanë luftuar, kanë bërë sakrifica, kanë dhënë jetë e pjesë të trupit të tyre, kanë derdhur djersë e kanë kaluar nëpër privacione të rrezikshme;

Pikërisht pse po marrim drurin në njëri tjetrin për të marrë vlera edhe atje ku nuk ka; kur po duam ta trajtojmë Kosovën si pronë klanesh; kur po trajtohet pushteti që kanë dhënë qytetarët, si trashëgimi e si e drejtë e madhështisë; kur opiumi i optimizmit ushqen të gjithë ata që marrin pushtet; kur luhet roli i budallait që në dasmë këndon këngë mortore; kur aktualisht nuk e kuptojmë jemi në monarki autokratike – ku komandon një njeri dhe të gjithë binden e nënshtrohen, jemi në oligarki – ku komandojnë drejtojnë dhe fitojnë pak veta dhe të gjithë të tjerët janë të nënshtruar, apo jemi në demokraci – ku të gjithë qytetarët e vendit ushtrojnë pushtet për të mirën e tyre, të atdheut e të kombit.

Në këto çaste, kur po tentohet të ndërtohet një e shkuar e re, të shpiken heronj të rinj, duke i tjetërsuar faktet dhe duke u vënë fshesën heronjve të vjetër, duke inskenuar ndryshe atë që ka ndodhur tashmë.

Shihet se serbët dhe Serbia po ndihen përsëri të fortë dhe po bëjnë edhe presion.

Por të mos harrojmë kurrë, se asnjë fuqi nuk mund t’i bëjë ballë rrënimit që sjellë koha, dhe vetëm lavdia e atij që ka vepruar me ndershmëri e ka jetuar me nder rritet me kalimin e viteve. Prandaj kërkohet të bëhet kujdes.

Edhe ky përvjetor apelon për kujdes në vlerësimet historike, për të mos i lënë hapësirë armikut të mendojë se jemi tjetërsuar.

E për këtë unë jam garant, se në qoftë se në Luftën Çlirimtare të Kosovës rrëmbyen armët për t’i dalë zot atdheut 60 mijë shqiptarë, në rast nevoje, në qoftë se do të vihen në rrezik fatet e atdheut e kombit, ta dinë miqtë dhe armiqtë, se menjëherë, do të jenë me armë në front jo më pak se një milion shqiptarë. Garant bëhem unë për këtë.

Uroj, që armiku të mos tentojë ta verë në provë këtë që po them unë, se do të mbetet në mes të llavës së zjarrtë të vullkanit kombëtar shqiptar.

Le të thonë shqiptarët nuk kanë armë, le të thonë shqiptarët nuk kanë ushtri.