Fundamenti

Të mërkurën jepen fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Avokati mbrojtës i Hatixhe Dakut, Shemsedin Pira tha për rajonipress se të mërkurën pritet të jepen fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve.

Pas një zvarritje mbi pesë vjeçare të mërkurën pritet të dëgjohen fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve.

Shemsedin Pira njëri nga avokatët mbrojtës ka konfirmuar për rajonipress se të mërkurën do të dëgjohen fjalët përfundimtare. “Jemi në fund të këtij procesi të stërgjatur gjyqësor dhe pas falave përfundimtare vetëm pritet të shpallet aktgjykimi” tha Pira.

Ndryshe gjykimi ndaj grupit të Qemajl Mustafës ka shënuar që nga fillimi shkeljet më të mëdha të njohura në sistemin e drejtësisë. Pos zvarritjeve të shumta aty janë shpërfaqur edhe gabime tjera procedurale për të cilat me kohë kanë reaguar avokatët mbrojtës, por edhe vet Qemajl Mustafa.

“Me 16 Shtator, janë bërë 5 vite të plota prej kur një sistem kriminal i hetimeve në Gjilan e në Prishtinë, i urdhëruar nga bosët e politikave dështuese të partive e të institucioneve tona, ka ngritur aktakuzë ndaj meje, ndaj 28 shërbyesve civilë më të mirë e më të ndershëm që i kishte komuna e Gjilanit dhe ndaj 10 afaristëve poashtu nga më të mirët e më korrektë që i ka komuna e jonë” ka thënë më herët Qemajl Mustafa.

Një reagim i mëhershëm i Qemajl Mustafës

1.
Qëllim i parë dhe i fundit i këtij qarku kriminal politiko-juridik ishte i ultë dhe fare i tejdukshëm. Ishte goditja publike që duhej të më bëhej mua si ish kryetar i komunës dhe strukturës së profesionistëve që ishin nga më të mirët e komunës, me qëllim persekutimi e diskreditimi shumëvjeçar për ta pamundësuar kthimin në punë dhe në rrjedhat politike e zhvillimore të komunës e të vendit tonë. Ashiqare, një qarku të mykur në Gjilan e në Prishtinë, i pengonte fort puna e jonë e madhe, e mirë dhe e ndershme që e kishim bërë në komunë për 6 vite me radhë.

Thjeshtë, ishte vendim i këtij qarku për diferencimin tonë, sikur që pas viteve të ’80-ta e bënte Serbia mbi shqiptarët e Kosovës. Ajo nuk bënte diçka tjetër pos, i përjashtonte kuadrot më të mira nga puna me idenë që t`i frigonte masat popullore dhe këto kuadro ti bënte të varfër, të varur, lëmosharë e të nënshtruar. Nuk ia arriti qëllimit kurrë, natyrisht.

Pavarësisht përkushtimit tonë shumëvjeçar të sinqertë, punës së palodhshme që e bëmë dhe rezultateve ekstremisht të mira që i kishte komuna në secilën fushë të aktivitetit, të planifikimit e të realizimit, ne duhej të goditeshim edhe atë patjetër në kokë sepse veç kështu “mjeti e arsyetonte qëllimin” – e për qëĺlim e kishin fashitjen e Qemajl Mustafës e pranë tij edhe dhjetëra punëtorë dhe afaristê të shkëlqyer të komunës.

Dhe deri këtu “projekti” i tyre (sa fatkeq për neve, aq më fatkeq e goditës për komunën dhe për partinë me të cilën kishim bërë fitore të mëdha e brilante) funksionoi për mrekulli. Ne prore, edhe pas 5 vitesh, jemi pa asnjë angazhim në punët tona të rregullta, pa të ardhura, pa mundësinë për tu kyçur në proceset politike, skajshëm tē fyer, të pështyrë e të përbaltosur… Jo vetëm ne por edhe familjet tona, partia prej nga vinim, komuna…

2.
Nejse kjo… Ia kishin pas mësy me bë shumë hetime paralele plotësisht të pabazuara që nga Janari i vitit 2011 (para një dekade) deri te Shtatori i vitit 2016 (plotë 5 vjet hetime) dhe ia kishin pas mësy me ngritë patjetër aktakuzë përmes veglave servile në prokurori e në polici (që vet i kanë instalue aty) dhe e kanë bërë, siç e thash, me 16 Shtator 2016.

Hidromorava

E kjo që pasoi pastaj është larg më qesharake (por gjithsesi e dhimbshme për ne e për shtetin e Kosovës). Rastin e dërguan për gjykim në Pejë me një arsyetim banal të gjykatës themelore në Gjilan (se kinse të akuzuarit mund të kenë lidhje e ndikime mbi gjykatësit e komunës e të rajonit të tyre).

Në Pejë nisi zvarritja (qoftë e natyrshme, qoftë e planifikuar) dhe “loja e tenisit” në mes të trupit gjykues e prokurorit, të cilin, dy herë e urdhëruan që ta riformulonte aktakuzën sepse ishte një dokument diletant i projektuar dhe i bërë nga qarqet policore dhe juristë të paditur por, ishte bërë gjithsesi sipas shijes së urdhërdhënësit.

Pastaj u ndërrua trupi i parë gjykues dhe erdhi një tjetër i cili e vazhdoi punën dhe mori vendime të rëndësishme. E hodhi poshtë kualifikimin “krim i organizuar” sepse nuk kishte konstatue askund në aktakuzë strukturë të organizuar për të bërë ndonjë krim çfarëdo qoftë ai. I liroi nga aktakuza 10 afaristët dhe 19 zyrtarë të komunës. Ne 10 që mbetëm në aktakuzë vetëm për “tejkalim të autorizimeve zyrtare” morëm frymë më lirshëm sepse shpresonim e besonim që mbetëm grup i vogël dhe procesi do të shpejtonte e do të kryhej përfundimisht.

Ndodhi e kundërta. Gjykata e apelit (për mungesë përkushtimi profesional ose edhe për teket e politikës) e kthei në rigjykim. Ndodhën vonesa e zvarritje dhe në ndërkohë kryegjyqtari shkoi në pension. Erdhi si e porositur edhe pandemia dhe sistemit gjyqësor të Kosovës i ra “shiu në kollomoq” dhe thuaja nuk mbajti më fare seanca. Para ndonjë muaji u caktua trupi i tretë gjyqësor dhe na u duk që e ka vullnetin me e rritë dinamikën e punēs dhe me e përfundue këtë maskaradë. Nuk ndodhi qysh e pritëm. Pavarësisht që ky trup gjykues duket qartë që është më i koncentruar dhe më i përkushtuar në lëndën e aktakuzës, edhe ky filloi me zvarritje të seancave dhe ja ku jemi 5 vjet pas ngritjes së aktakuzës.

Janë tejkaluar që të gjitha afatet kohore gjatë hetimeve. Nuk kemi pa kurrë vendim zyrtar për nisje të hetimeve sepse prokurori ose po e fsheh vendimin ose nuk e ka fare vendimin e që është skandal më vehte. Janë tejkaluar që të gjitha afatet optimale për gjykim në kohëzgjatje të arsyeshme qysh e kërkon kodi i procedurës penale dhe kushtetuta e RKS. Janë cenuar rëndë të drejtat e njeriut për jetë të lirë e të barabartë, për punë, për aktivizëm politik, për socializim e çfarëdo tjetër…

Jemi diskriminue e jemi persekutua duke na vënë dhe duke na trajtue si qytetarë të rendit të dytë e të tretë pikërisht si dikur që shqiptarët e romët trajtoheshin nën segregacionin sistematik Serb e Sllav.

Me diskreditimin e me denigrimin medial që na është bërë pandalur nëpër këto vite tashmë neve na ka gjykue dhe na ka dënue rëndë ky sistem jonjerëzor i (pa)drejtësisë sepse çfarëdo verdikti përfundimtar për pafajësinë time e tonën nuk e krijon më asnjëherë bindjen autentike të qytetarëve të Gjilanit e të Kosovës për pastërtinë tonë. Zatën ky edhe ka qenë qëllimi i “arkitektëve” të këtij projekti.

Lavdi sistemit tonë të (pa)drejtësisë, të themeluar e të udhëhequr nga qeveritë tona që nga 2001 e deri sot. Lavdi të gjithë ministrave të deritanishëm, të cilët, me plotë sukses e lanë xhuxh e të pazhvilluar këtë sistem. Aq më keq, e bënë sistem johuman që diskriminon e sakatosë qytetarë të RKS sikur që e favorizon dhe e ledhaton një shtresë të qytetarëve të po të njëjtës RKS.

Do të doja personalisht (dhe besoj që këtë ndjenjë e ndaj edhe me kolegët e mi në aktakuzë) që kjo që na ndodhi neve dhe qindra e mijëra qytetarëve të tjerë, me këtë sistem bastard të drejtësisë për vite të tëra, të mos i ndodhë më asnjë qytetari të Republikës tonë pavarësisht përkatësisë nacionale, besimit, bindjes politike dhe ngjyrës së tij.

Qoftë kjo e jona padrejtësia e fundit që i bëhet njeriut të Kosovës nga ky sistem.
Të shpresojmë!.