Të martën jemi me Zvicrën
Nga Armand Shkullaku- Një sfidë sportive, veçanërisht për shqiptarët, nuk duhet të provokojë ndarje. Përkundrazi, është një rast i mirë për të treguar se dimë të bëjmë dallimin mes profesionalizmit dhe provincializmit, se jemi qytetarë normalë të Europës.
Prandaj më 11 shtator duhet të duartrokasim edhe për Zvicrën. Për Shaqirin me shokë që janë futbollistët shqiptarë të Europës.
Një ngjarje sportive, e cila po pritet me padurim të martën e 11 shtatorit, mund të marrë përmasa shumë më të mëdha se sa një garë normale mes dy ekipeve rivale. Fjala është për ndeshjen e futbollit Shqipëri- Zvicër, ku për herë të parë në histori do të jenë përballë të paktën 15 shqiptarë në dy ekipe të ndryshme. Ngjyrat helvetike do t’i mbajnë edhe 5 futbollistë me origjinë shqiptare, mes tyre yje si Shaqiri, Behrami, Xhaka e Xhemaili.
Tensioni për këtë sfidë të pazakontë ka nisur të ndihet dhe shenjat e para nuk janë aspak pozitive. Një top futbolli mund të rrezikojë të shndërrohet në mollë sherri dhe të ndezë konflikt të panevojshëm e që më pas do të interpretohej si një ndarje e thellë mes vetë shqiptarëve.
Në shumë komente online por edhe në shtypin e përditshëm nuk kanë munguar vlerësimet primitive që talentet shqiptare të Zvicrës t’i quajnë tradhëtarë pse kanë pranuar të përfaqësojnë vendin që u ka dhënë atyre mundësinë të shkëlqejnë. Djelmoshat, që fati i ka caktuar që të përballen me Shqipërinë, gjenden sot në pozitën më të vështirë. Shqiptarët i paragjykojnë, ndërsa zviceranët shprehin mosbesim. Do të luajnë ata me gjithë shpirt? A do t’i lëvizin buzët dhe ta vënë dorën në zemër kur të luhet himni i Shqipërisë? Po himnin zviceran a do ta këndojnë? Do të festojnë apo jo në rast se ekipi i tyre fiton?
Me siguri që as ata vetë nuk e dinë ende se çfarë do t’u thotë zemra në ato momente. Ata bëjnë shenjën e shqiponjës kur shënojnë, e kanë të stampuar atë në gjokse dhe në këpucët me të cilat luajnë, flasin shqip dhe e pranojnë me zërin lart se janë shqiptarë. Por të martën në stadiumin e vogël të Lucernës ata duhet të jenë thjesht profesionistë.
Zakoni i mbrapshtë i yni për të bërë shqiptar cilindo personazh të famshëm dhe për të mallkuar cilindo personazh të famshëm që nuk bërtet se është shqiptar, nuk rëndon thjesht mbi 5 djelmoshat që mbajnë fanellën e Zvicrës. Shpesh, mllefi ynë brenda llojit është aq i madh sa shkon deri në përjashtim. Një pakënaqësi banale mjafton për t’u shndërruar në çështje patriotike dhe ndasie krahinore. Nëse në një reality show fiton një i Tiranës dhe jo i Prishtinës apo anasjelltas, fakti nuk gjykohet profesionalisht por paragjykohet krahinarisht.
Ndarja e gjatë dhe mungesa e sukseseve në rrafsh ndërkombëtar e kanë zhvendosur problemin nga thelbi i tij. Në vend që të analizohen shkaqet e dështimeve tona në shumë fusha, përfshi edhe sportin, shpiken debate e justifikime patriotiko- emocionale për të gjetur një tjetër fajtor.
Futbollistët shqiptarë të Zvicrës janë sot në këto nivele sepse vendi ku u rritën dhe u përgatitën u ofroi mundësitë maksimale. Ata janë profesionistë dhe si të tillë do të donin që të arrinin maksimumin, të shkonin në Brazil, të luanin në botëror, të jenë kampionë, qoftë edhe duke mundur Shqipërinë. Kjo nuk ka lidhje me zemrën, por me këmbët. Emocionet e çastit që mund të prodhojë një përplasje e tillë e pazakontë duhen kontrolluar.
Pavarësisht rezultatit, vështirë të ketë shqiptar që nuk do të mbështeste Zvicrën nëse kualifikohej për në botëror qoftë edhe duke eleminuar Shqipërinë apo anasjelltas. Në fund të fundit duhet kuptuar që të martën në Lucernë të Zvicrës luhet vetëm një ndeshje futbolli. Atje nuk do të ketë tradhëtarë e patriotë, shqiptarë të vërtetë e mercenarë. Kush mund të thotë nëse është shqiptar më i mirë ai që mban uniformën kuqezi por shet ndeshjen, nuk luan me zemër ose turpëron edhe me ekipe të dorës së tretë dhe nuk qënka ai që vlerëson profesionin, që fiton, arrin të luajë me ekipe të mëdha, bëhet kampion dhe thotë me krenari që është shqiptar.
Shqiptarët e Zvicrës janë këta të fundit, profesionistë të vërtetë, që duhet të na bëjnë krenarë dhe të ndihemi mirë edhe nëse fitojnë të martën. Prandaj me 11 shtator duhet të jemi edhe me Zvicrën.
Më 11 shtator gjithashtu është momenti për të treguar se lidhjet tona nuk janë thurrur me rrjetën e një porte futbolli dhe nuk varen në 90 minuta. Shqiptarët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes profesionit dhe emocionit. Ndeshja e të martës është edhe një test nëse nesër do të duhet që Shqipëria e Kosova të kenë dy kombëtare e të ndeshen mes tyre. Një sfidë sportive, veçanërisht për shqiptarët, nuk duhet të provokojë ndarje.
Përkundrazi, është një rast i mirë për të treguar se dimë të bëjmë dallimin mes profesionalizmit dhe provicializmit, se jemi qytetarë normalë të Europës. Prandaj më 11 shtator duhet të duartrokasim edhe për Zvicrën. Për Shaqirin me shokë që janë futbollistët shqiptarë të Europës.