Të jetosh me dashuri dhe për dashurinë

Nga Ajete Zogaj – Sabit Rrustemi “Hyjnorja ime je ti” I – II. Poezi. Botoi “Faik Konica” Prishtinë 2019

Të rrallë janë ata krijues, te të, cilët në gjithë krijimtarinë e tyre frymon dashuria, si vlerë universale e jetës, dhe e zbukuron, e fisnikëron jetën e njeriun në ecejaket e tij!

Një nga këta është poeti Sabit Rrustemi i zgjodhi këtë rrugë, që penën e tij ta ‘ngjyejë’ në motivin e dashurisë, e cila është mbizotëruese në gjithë punën e tij krijuese.

Kësaj radhe poeti ynë vjen me veprën dy vëllimshme në poezi, “Hyjnorja ime je ti”, që paraqet një ngjarje të rëndësishme jo vetën për këtë autor, por dhe për poezinë shqipe në përgjithësi.

Duke folur për poezitë e përfshira në këto dy vëllime, studiuesi Anton Nikë Berisha thekson: “Asnjë poet i yni deri më sot nuk ia doli të japë një mozaik poetik kaq të veçantë e kaq të pasur për dashurinë si Sabit Rrustemi, për të cilën në “Këngën e këngëve” thuhet: “ dashuria është e fortë si vdekja […] / Ujërat e mëdha nuk mund ta shuajnë, / as lumenjtë nuk mund ta përmbytin (8, 6–7)”.

I strukturuar në shtatë njësi librare (Libri parë – Libri i shtatë), ky kryelibër, që nga titulli të pushton e të magjepsë me botën e së bukurës, që sa është hyjnore, po aq dhe e natyrshme si vetë dashuria.

Përmes vargjeve për dashurinë, Sabit Rrustemi gjakon të përcjellë këtë porosi tek lexuesi: aty ku ka dashuri të mirëfilltë, s’ka urrejtje, po ka jetë, ka paqe e lumturi.

Kur i lexon poezitë e dy vëllimeve “Hyjnorja ime je ti”, bindesh se çdo ditë e autorit sikur fillon me dashuri; ai jeton për dashurinë, vetëm me dashuri. Autori, në fund të çdo poezie shënon datën kur është shkruar, gjë që ky kryelibër na paraqitet edhe si një ditari lirik, që rrezaton varg pas vargu me dashuri e çiltërsi.

Poeti i beson dashurisë, i përkulet, i falet, i përkushtohet me çdo qelizë të qenies së tij!
Kjo dashuri
s’njeh tundje lëkundje”(faqe 9)

Ndërsa i lexon këto vargje të bukura, të bëhet se po shfleton “ditarin” e vlimeve shpirtërore të poetit, ndjesitë e thellatë tij. Pra, kjo poezi, veç e veç e, edhe si tërësi, rrugëton ‘shtigjeve të jetës’varg pas vargu:
Kudo që jam kahdo që shkoj
ti je e tëra me mua edhe kur më je larg
Oh, ti kurrë nuk je larg
ti brenda meje je (faqe 10)

Poeti i këndon hyjneshës së tij edhe në ditët e veçanta, në ‘Ditë Feste ku AtDheut i falet përjetësisht’:

Dëgjoje këtë muzikë lirie
Hyjnesha ime
këtë zë të ëmbël nga gjaku i tyre (faqe 12)

Secila poezi e këtij libri, është një tërësi lirike në vete e shprehur me ngrohtësi dashurie:
E dashur rri e qetë
në secilën ditë
në çdo çast kudo qofsha
përmes penës me ngjyrë zemre
një varg poezie do ta nis andej ku je
për ta thënë atë magji jete me dy fjalë (faqe 85)

Autori i këndon me pasion dashurisë dhe të dashurës, që janë të njësuara, sepse po të mos i këndonte atëherë as Librat e Shenjtë s’do ta falnin:
Nëse nuk i këndoj asaj që dua
as librat e Shenjtë s’më falin
e le më të gjallët (faqe 226)

Ai bën përpjekje të mëdha që vargu i tij të ndikojë që të hapet zemra e së dashurës ‘derisa të hapet e zemrës derë’, qoftë edhe nëse është zanë e malit:
Hape zemrën moj e uruar
qofsh e fushës a e malit zanë… (faqe 238)

Poezia e dashurisë e Sabit Rrustemit dëshmohet si vlerë nga fakti se autori i kushton kujdes të madh të shprehurit poetik, gjuhës poetike, çka e bën atë të rëndësishme për lexuesin e sotëm e të nesërm.

Lutjet e tij për të dashurën në një të diele, i ngjasojnë lutjeve të një shenjtori para ungjillit:
Ti që je kudo dhe brenda meje
përmes kësaj shpatulle Çepuri
Po të lutem edhe kësaj të diele…[…]
heshti mëritë, lakmitë
tek secili njeri…
Hapi tonat zemra
flamujt e dashurisë (faqe 296)

E dashura në poezinë e Sabit Rrustemit, e përfshirë në këto dy vëllime, është më e bukur se Helena, se Tanusha, se Zana e kroit, është zemërmirë si Çepuri me të cilin autori asgjë nuk ndërron.

Poeti jep gjithçka nga vetja për dashurinë; për të ajo është e shenjtë, madje , në një nga poezitë e tij, e thotë pa ngurrim, ” Bibla ime je ti”, po edhe përditë , nga një “flijim” të vogël bën për Të, siç do të shprehet dhe në këto vargje:
Përditë nga një brinjë prej vetes e shkul
lëkurën time pjesë – pjesë e copëtoj
ëndrrën time e shkruaj e vargëzoj…[…]
dashuria dhe murin e Berlinitrrëzoi” (130-131)
Në njërën nga poezitë, ai i lutet dhe i falet dashurisë:
Aty ku dashuria ngrihet në fron
falem e lutem deri në përgjërim
në këtë jetë e n’amshim
për shpirtin tënd
për shpirtin tim (faqe 79)

Se autori gjakon një dashuri të pastër dhe pa mashtrime, e dëshmojnë edhe vargjet:
Vjen një ditë kur askush
s’mund ta fshehë më fytyrën
as ta aktrojë rolin e engjëllit
ajo ditë sa të zhgënjen
po aq të ngazëllen
dita kur bien maskat (faqe 142)
ose

Dashuria
shpesh të lë pa fjalë ( faqe 130).

Ai e fton të dashurën që të vije ‘shtegut të ballit / rreth qerpikëve të djegur të mallit” (faqe 201).

Vëllimet e poezive “Hyjnorja ime je ti”, veçohen për gjuhën e përzgjedhur e të pasur me figura, për një stil të përpunuar që dëshmojnë se autori ka ‘shkrirë’ gjithçka nga uni i tij krijues për njëë realizim sa më cilësor të poezisë së tij .

Po veçojmë disa nga figurat stilistike. Metafora: Ti shqeve perde theve dryna / Dimrat e krejt botës / zjarrin tënd s’e ngrinë; krejt e kaltër e delltë; lutja ime e dielltë; flokët e kresë nisen drejtë malit; shkrumbohet zemërmali. Antiteza: ndeza trupin për të ngrohur ardhjen / Ajo zemrën për ta shmangur ikjen; Pluhuri i mbuloi të thënat / vetëm të pathënat na trazojnë. Krahasime: Si një fllad pranvere, si hënë e vetmuar. Fjalët e reja: borëtojnë, përzjarremi, paqtë etj.

Në këtë libër dy vëllimësh me poezi, poeti Sabit Rrustemi vetëm sa e dëshmon mjeshtrinë e tij në shkrimin e rrallë të poezisë së dashurisë. Puna e tij i përngjan mjeshtrit të filigranit që me fije të holla, punon deri në detaje për të nxjerrë figura të bukura e me vlerë.

Duke pasur parasysh dhe librat e mëhershëm të të njëjtit autor për dashurinë, mund të nxjerr përfundimin se me dy vëllimet e të njëjtit libër “Hyjnorja ime je ti”, poeti Sabit Rrustemi thjeshtë ka shkruar Librin e tij të jetës apo thënë thjeshtë, Kryeveprën e këtij lloji në letërsinë tonë./rajonipress/

Prishtinë, 2020

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).