UBT

Të jetosh i ngulfatur

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Baton Haxhiu – E dinë të gjithë se duhet të ndërhyhet. Në zyrat e ambasadave po trokasin në derë të pafuqishmit dhe të varurit. Të gjitha zyrat po thonë se janë lodhur nga politika që kërkojnë ndërhyrje edhe për gjërat më të vogla. Kërkojnë ndihmë që të ndërtojnë institucione dhe të ndihmojmë që ato të funksionojnë. Janë të lodhur me institucionet që nuk e bëjnë asnjë hap pa pyetur.

Ndërhyrja e domosdoshme

E dinë të gjithë se duhet të ndërhyhet. Në zyrat e ambasadave po trokasin në derë të pafuqishmit dhe të varurit. Të gjitha zyrat po thonë se janë lodhur nga politika që kërkojnë ndërhyrje edhe për gjërat më të vogla. Kërkojnë ndihmë që të ndërtojnë institucione dhe të ndihmojmë që ato të funksionojnë. Janë të lodhur me institucionet që nuk e bëjnë asnjë hap pa pyetur.

Senatori u deklarua qartë: Të gjithë janë të korruptuar përveç presidentes. Kjo ishte një shenjë treguese se Amerika nuk është e gatshme, dhe të tjerët nuk janë të denjë, të luftohet për ta.

Me këtë rast dua të konstatoj një gjë. Është për të ardhur keq që ambasadoret nuk mund të flasin deri në detaje dhe nuk mund të thonë atë që do të duhej të thoshin. Sepse do t’iu vinte shumë keq dhe do të humbnim çdo respekt për secilin që është fytyrë publike dhe që bën një punë publike në Kosovë. Të gjithë, një nga një, rrëfehen dhe kërkojnë mëshirë nga ambasadoret, gati për të gjitha çështjet.

Natyrisht që ambasadoret janë të veshur me aurën e shteteve, por kjo nuk do të thotë që ata duhet të jenë gati për të përdorur “hegjemoninë” e shtetit të tyre për të ndërtuar institucione të një shteti që tashmë kanë marrë këmbët. Mirëpo, duhet pranuar, pa ambasadoret dhe presionin e tyre, shteti ynë do të ishte hiç më pak se një shtet i dështuar.

Një gjë dihet: angazhimi amerikan lind nga fakti se të gjithë, ama të gjithë, shqiptarë, serbë, përfaqësues të institucioneve, individë, media dhe shefa të tyre kanë një dëshirë dhe një fjali të vetme në kuloaret ku rrinë – lëvdatën se janë parë me të dhe kështu u ka thënë ambasadori amerikan. E kanë referencë edhe për të krijuar fuqi dhe pozicion para tjerëve.

E kanë mënyrë për t‘u lavdëruar, e kanë referencë për ta sulmuar tjetrin dhe e kanë gjithashtu referencë për të kandiduar në një post publik, që ndoshta as ëndërr s‘e kanë parë. Kjo “hegjemoni” e ambasadorit lind nga fakti se individët në Kosovë dhe institucionet e partitë politike i detyron shpëtimin ose ndihmesën ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Heshtja e ftohtë ka kapluar ambasadorët. Mundohen që gjërat të bëhen përmes presidentes, dhe ajo të vishet me fuqinë institucionale. Por, shteti i Kosovës, gati sigurt, e do ndërhyrjen.

Brenda, në fiziologjinë e krizës ka pushuar së punuari edhe njëri nga gjymtyrët më të rëndësishëm për fatin e Kosovës. Dhe jo vetëm ky »pushim« është tmerrues, i frikshëm por e gjithë strategjia e perëndimorëve, ose siç quhen de facto »çliruesit dhe instruktorët e demokracisë kosovare«. Që nga momenti kur klasa politike refuzoi propozimin amerikan që zgjedhjet të mbahen, pas përgatitjes reformave të sistemit elektoral, më 21 shtator, miqtë më të rëndësishëm të Kosovës janë futur në bunkerin e indiferencës. Nuk përzihen më askund dhe kaq. Kjo domosdo dhe natyrshëm se rezulton në dilemën e shumëkujt në Kosovë që heq paralele me ngjarjet në Afganistan dhe Irak, ku SHBA-të ndihmuan në rënien e diktaturave, por lanë punën në gjysmë, duke mos u kujdesur që skenat politike të këtyre vendeve mos përlahen, kapen nga ISIS-i dhe Al Qaeda.

Mobi Casa

Që për Kosovën mund të përkthehet në kapjen e saj nga elita të dyshimta, jo të afta, nepotike, kuazidemokratike, të infiltrohen nga shërbime të huaja me plane kundër interesave të Kosovës, nga agjentura të ndyra me lidhje me ISIS e të llojit. Nëse miqtë kryesorë, sidomos në kriza të këtilla tërhiqen, në situata kur e gjithë klasa politike del rahitike, e paaftë për zgjidhje e zgjedhje, atëherë përse instruktimi, mundi, humbjet financiare e lufta politike?
Arsyeja pse kemi këtë bllokim ka të bëjë me pritjen e të gjithëve (hiq Vetëvendosjen) se çfarë do të thotë Ambasadorja.

Por nuk është krejt ashtu!

Bllokada tashmë duket të mos jetë kriza vetë. Më shumë ajo shfaqet si parahyrje në dramën e vërtetë të një vendi me mungesa të mëdha në demokraci, ligje, sistem.
Sa më shumë të zgjasë i ashtuquajturi, ngërç, aq më shumë bindet qytetari se gjendet në duart e një elite politike, e cila jep provimin të mos jetë e duhura për kriza dhe momente të rënda për shtetin dhe shoqërinë. Nëse këtij konstatimi tash ia vëmë karshi faktin se shoqëria kosovare, si e re dhe papërvojë, vazhdimisht gjendet dhe do të jetë gjatë e konfrontuar me kriza të ndryshme, atëherë qytetarëve u mbeten të mbulojnë kryet me duar dhe t’i luten Zotit të tyre për ditë më të mira, respektivisht për njerëz më kompetentë, për politikanë që nuk harrojnë çdo përgjegjësi sa herë t’iu prishen ëndrrat personale e për miq që nuk kthehen në mes të rrugës për atje nga kanë nisur. Përveç kësaj kriza ekspozoi edhe qenien gati sipërfaqësore, pa thelb, të disa partive politike, që shumëkush madje i konsideronte si të pjekura brenda vetes, për demokracinë e për pushtet. Nuk doli ashtu!

Befasinë më eklatante shoqërisë kosovare ia dhuroi Vetëvendosja. Brenda një kohe fare të shkurtër ajo ndërroi pamjen, modifikoi synimet, ndërroi miqtë e armiqtë, harroi rrugën e nisur të higjienës politike dhe demonstroi aq hapur vullnetin për pushtet. Me këtë kjo lëvizje dobësoi pjesën esenciale motorike të saj: atë rini rebeluese, idealiste, që në fakt e bëri dhe e mbante. Me të drejtë disa nga opinionistët ia shkruajnë të ardhmen e shkriftë, pa fuqi dhe pa asnjë fije magnetizmi për ndonjë shtresë të caktuar. Ajo që këtej ka hyrë në një fazë tjetër të historisë së saj – në atë të integrimit me çdo kusht zyrave të pushtetit. Disa zëra aty këtu që tentojnë të krijojnë urën ndërmjet VV-së së vjetër dhe kësaj të resë askush nuk i merr seriozisht. Sigurisht as vetë eksponentët që i bëjnë, si ashtu të provuar në parashkollat e dështuara si FER dhe Ora. Pak kush ka besuar që VV do të ofrojë gjithçka për t’i humbur të gjitha.

Në anën tjetër, LDK që para dhe gjatë zgjedhjes premtonte të ketë konsoliduar brendësinë e saj dhe të ketë forcë të një partie pushtetbërëse edhe kuvendet e përcaktuara me ligj i paska harruar. Gjë që na e shpalos një hipotekë apo një spekulim të vjetër të kësaj partie që frekuenton në sintezën e »kuvendeve me karrige kresë«, pra të problemeve të rënda interne që krijojnë fraksione të ndryshme që synojnë hierarkinë e partisë. Ndoshta nga kjo gropë i del asaj edhe çmimi aq i vogël që ia ka vënë vetes, por më shumë duket të ketë mbetur vetëm figurativisht në skenë dhe gjithçka që bëhet është mbijetesa e një klani që don të ndahet me ndonjë post respektabël nga jeta shoqërore. Ndryshe nuk ka se si mund të analizohet as qëndrimi i një intelektuali e politikani të vjetër e i provuar si Isa Mustafa kundër dialogut, kundër çdo kompromisi që do të çonte në debllokimin e situatës.

Ditëve kur doli Ramush Haradinaj nga Haga jo vetëm të AAK-së u gëzuan se Kosovës politike i shtohet (fizikisht) edhe një shpresë për të ecur para. Ai ishte i matur, strategjik dhe çdo vendim apo deklaratë e tij kishte një superideal: fatin e vendit. Kjo rreshtoi anës së tij edhe personalitete e media që nuk kishin asgjë të përbashkët konkretisht me AAK-në. Kriza tani e vizaton si një personalitet që çdo gjë kushtëzon me qenien e tij si kryeministër. Ndoshta kjo vjen edhe nga vetëbesimi i tij se i vetmi është që posedon aftësitë e nevojshme, por mënyra, refuzimet në kooperim dhe dialog e kanë shndërruar para opinionit publik më shumë si të dobët politikisht për të marrë përgjegjësi të mëdha, sesa të kundërtën. I ka bërë shumë dëm vetes në këtë kohë krize. Dëm që qoftë të bëhet kryeministër e qoftë në zgjedhje do ta ndiejë deri në asht. Kjo edhe për arsyen se edhe të jesh njëri më i përkryer në demokraci nuk mund të veprosh vetëm, pa shumicë dhe pa kompromise.

NISMA e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt, për nga resurset intelektuale, konsistenca ndaj proceseve dhe ligjeve, është një parti episodike, provizore, sepse me hyrjen aq militante nën komandën e një partie, të konsideruar »armike« nga bazat e saja nuk do ta ketë gjatë. Prandaj edhe frika plotë panik që të mos mbahen zgjedhje të reja.

PDK përkundër etablimit së fundi të kuadrove, programeve të qarta dhe përvojës së fituar brenda dy legjislaturave të fundit, ajo tepër vonë u zgjua për të kërkuar kyçje gjithpërfshirëse të spektrit politik në vazhdimin e bërjes së shtetit. Shumë gjatë si administrata ashtu edhe ministritë e saja u sollën me një arrogancë të paparë. Në të gjetën strehë lloj lloj akrobatësh të përlyer moralisht e ligjërisht, oligarkë në vrap pas tenderëve, agjentë ideologjishë fetare dhe farefis që postet i siguronin jo zyrave, por brenda celularëve, të ngjitur për veshit të funksionarëve partiakë. Modeli i elitës politike të krijuar viteve të fundit e bën PDK-në parti që ka krijuar elemente të sigurisë në Kosove, por është filtruar një elitë që është e dëmshme dhe e paformuar për të qenë në të gjitha vendet ku ata udhëheqin. Për asgjë tjetër, PDK është dashur të dalë në opozite për elitën e etabluar pa mbulese profesionale.

Po i kthehem fjalisë së Senatorit: Ky është brumi që kemi. Duhet ta gjejmë rrugën përmes procedurës, ndryshe, zgjedhjet janë zgjidhja, por edhe dhimbja e viteve që vijmë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)