Të hetohet korrupsioni 30 milionësh në KEK

Prokuroria e shtetit duhet të alarmohet nga deklarata publike e Ilir Dedës, kreut të Institutit “Kipred”, se njerëzit në pushtet i kanë marrë 30 milionë euro korrupsion me rastin e privatizimit të distribucionit të KEK-ut, thonë drejtuesit e Agjencionit Anti Korrupsion, si dhe përfaqësues të partive opozitare.
Ilir Deda gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” ka bërë të ditur se këtë gjë ia kanë konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Kjo e fundit dhe zëvendëskryeministri Pacolli, gjatë ditës së enjte, i kanë mohuar deklaratat e Dedës, ndonëse kanë pranuar se janë takuar me Dedën.
“Unë e kam takuar z. Deda bashkë me disa njerëz tjerë dhe absolutisht nuk ka pas asnjë bisedë sa i përket asaj se gjoja është shitë diçka dhe qeveria i ka marrë paret” ka thënë Pacolli për “Zërin”.